E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ina Rama raporton tek Berisha

Kryeministri Sali Berisha apelon për intensifikim të luftës ndaj pastrimit të parave në Shqipëri nga institucionet përkatëse. Sipas tij, krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave. Berisha e cilësoi dje si një fenomen shumë të rrezikshëm nëse nuk merren masa për parandalimin e tij. Për këtë arsye ai mblodhi dje në selinë e qeverisë Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave.

Të pranishëm në këtë takim ishin ministra të qeverisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, z. Ardian Fullani, kryeprokurorja, znj. Ina Rama, drejtues të institucioneve anëtare në Komitetin Kombëtar të Bashkërendimit të Luftës kundër Pastrimit të Parave etj. Berisha u kërkoi pjesëmarrësve angazhim të madh në këtë luftë të vështirë, duke e etiketuar pastrimin e parave një fenomen tejet të rrezikshëm, një autostradë të krimit. Kryeministri theksoi se krimi nuk luftohet me sukses pa një luftë të vendosur ndaj pastrimit të parave. Kryeministri shtoi se ashtu si për luftën kundër krimit të organizuar, edhe ndaj fenomenit të pastrimit të parave duhet adoptuar toleranca zero.

Në mënyrë më specifike, pjesëmarrësit diskutuan mbi fuqizimin e strukturave që luftojnë pastrimin e parave, trajnimin e stafit bazuar mbi ekspertët dhe eksperiencën më të mirë ndërkombëtare, si dhe fuqizimin e rrjetit të IT-së dhe përdorimin e tij sa më gjerësisht në luftën kundër pastrimit të parave. Gjatë kësaj mbledhjeje, krerët e institucioneve raportuan mbi masat e marra në zbatim të programit kombëtar “Për kontrollin e lëvizjes së monedhës Cash në Republikën e Shqipërisë”. Gjithashtu u diskutua mbi bashkërendimin ndërinstitucional në luftën kundër pastrimit të parave si dhe në mundësinë e ndërhyrjes në bazat e të dhënave të organeve shtetërore dhe regjistrat publikë nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, si dhe për bashkëpunimin ndërkombëtar në kuadër të programeve të binjakëzimit. Të pranishmit u ndalën edhe në nevojën e ushtrimit të veprimeve në këtë luftë me transparencë të plotë dhe bazuar mbi kritere të qarta vlerësimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›