E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës; ZRPP, drejt dixhitalizimit të arkivave

Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Durrës ka ndryshuar mjaft, pasi është zgjeruar dhe pajisur me gjithçka të re, por ende mënyra se si aty funksionojnë gjërat vazhdon të jetë e njëjtë. Kjo, sepse ende vazhdon të ndiqet e njëjta procedurë pune si për aplikimet, ashtu dhe për gjetjen e plotësimin e dokumenteve deri në dhënien e certifikatës tatimore, sepse projekti për të cilin është folur vite më parë, ende nuk është realizuar plotësisht. Është fjala për krijimin e arkivës elektronike, e cila do të lehtësonte mjaft punën e punonjësve të hipotekës e njëkohësisht do të shkurtonte edhe kohën e pritjes për aplikuesit. Lehtësinë e këtij sistemi e kanë shijuar dogana, tatim-taksat, gjendja civile dhe institucione të tjera të cilat funksionojnë si homologet e tyre në vendet e zhvilluara.

Zyrtarët e ZRPP-së Durrës sqarojnë se “arkiva elektronike do të lehtësojë ndjeshëm punën dhe zgjidhë në afate tepër të shkurtra problemet e klientëve tanë”. Mungesa e arkivit elektronik sjell shpesh vonesa të kota për gjetjen e dokumenteve të pronësisë. Punonjësve të hipotekës u duhen orë dhe ditë të tëra dhe shpeshherë qëllon që ato nuk gjenden ose nuk janë mbartur nga zyrat kadastrale apo komisionet e kthimit të pronave ose rezultojnë të humbura apo të pa dokumentuara për shkaqe nga më absurdet. Raste të tilla kishte me dhjetëra të denoncuara gjatë vitit 2005-2006. Për t’u mbyllur shtegun abuzimeve, z. Ademi u shpreh se “kam mundur të kontrolloj gjithçka përmes sistemit të kamerave të instaluara, por edhe verifikimit të procedurave nga unë, atje ku kam dyshime, gjithashtu kam mirëpritur dhe mirëpres çdo reagim e denoncim nga qytetari lidhur me ndonjë tendencë korruptive që mund të ketë nga vartësit e mi”.

Durrës

Ambasadori gjerman referon për zgjerimin e BE-së

Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Shqipëri, Bernd Borchard, referoi sot në sallën e konferencave të Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, temën “Ballkani Perëndimor nga këndvështrimi i Gjermanisë”. Z. Borchard foli mbi problematikat e zgjerimit të Bashkimit Evropian, duke u ndalur veçanërisht në integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai trajtoi dhe çështjet që lidhen me krizën aktuale ekonomike si dhe mbështetjen e BE-së për vendet që kanë nënshkruar Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit. Referimi i ambasadorit gjerman çeli ciklin e seminareve të hapura në Universitetin “Aleksandër Moisiu”, me temë “Pema e dijes”, për vitin akademik 2008-2009. Në sallën e mbushur me studentë dhe pedagogë, z. Borchard iu përgjigj interesimit të të pranishmëve për çështjet e Kushtetutës së Bashkimit Evropian, problemeve të zgjerimit, marrëdhënieve të Gjermanisë me Shqipërinë etj. Universiteti “Aleksandër Moisiu” organizon për të dytin vit radhazi ciklin e seminareve të hapura me temë “Pema e dijes”. Javën e ardhshme në këtë seminar do të referojë albanologu nga Prishtina, Naser Pajaziti, ndërsa për më vonë janë parashikuar dhe biseda me titullarë të ambasadave të tjera të akredituara në vendin tonë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›