E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 5 zonat me ujë të ndotur



Uji i pijshëm rezulton i ndotur në disa zona të kryeqytetit. Instituti i Shëndetit Publik, pas analizave të kryera ka evidentuar se në pesë zona në Tiranë uji i pijshëm ka ngarkesë të lartë mikrobiologjike.

Në krye të listës qëndron zona e “Komunës së Parisit”, e cila më shumë s’ka ujë dhe në ato raste që çezmat e sjellin, uji ka ngarkesë të lartë mikrobiologjike. Më pas vijnë zona të tjera si “Rruga e Elbasanit”, bulevardi “Zogu i Parë”, “Ali Demi” dhe “Rruga e Kavajës”.

Ndotja

Analizat e kryera së fundmi nga ISHP-ja evidentojnë mjaft qartë se uji ka ngarkesë të lartë mikrobiologjike. Sipas tyre, kjo ndotje ka ardhur si shkak i mungesës së ujit në rrjet për 24 orë. Gjithashtu, problematike kanë qenë edhe ndërhyrjet e herëpashershme në tubacionet e ujit si shkak i punimeve gjatë rikonstruksioneve të rrugëve apo hapjeve të kanaleve të ujërave të zeza.

Nisur nga kjo situatë, Instituti i Shëndetit Publik ka rekomanduar që të rritet niveli i klorit në ujë, për të parandaluar sëmundjet. Raportohet se aktualisht klori në ujë është i pranishëm me 08,09 deri 1 miligram për litër. Ndërkohë që vetë specialistët e ISHP-së kanë ndërmarrë vetë një fushatë monitorimi në rrjet.

Mungesë e tubacioneve të pastra apo mjaftueshmëri klori kanë hapur debatin mbi sigurinë e ujit të pijshëm që vjen në çezmat e qytetarëve. Edhe kësaj radhe ndotja e ujit të pijshëm për kryeqytetin nuk është e re.

Monitorimi

Sipas monitorimit të fundit të kryer pikërisht nga Instituti i Shëndetit Publik, higjiena e ujit ka lënë shumë për të dëshiruar. Kjo e rëndon akoma më shumë pasi një ndër shkaqet kryesore që kanë sjellë ndotjen e ujit është mungesa e vazhdueshme e ujit që kanë këto zona.

Në zonën e “Komunës së Parisit” banorët e detyrohen të blejnë pasi uji në çezma mungon vazhdimisht.

Ndaj dhe herë pas here qytetarët janë ndeshur me fenomenin e ndotjes së ujit, por kësaj radhe shumë pak prej tyre janë njoftuar mbi moskonsumimin e tij.

Nga ana tjetër për shumë kryeqytetas ka qenë problematike ndotja e ujit pasi ka rezultuar si burimi kryesor i infektimit me sëmundje, duke rënduar në këtë mënyrë shëndetin e tyre.

Zonat me ujë të ndotur

Komuna e Parisit

Bulevardi Zogu i Parë

Ali Demi

Rruga e Elbasanit

Rruga e Kavajës

Protestë te Juridiku

Studentët: Zgjidhje për godinën

Studentët e Drejtësisë kanë protestuar dje për situatën në të cilën gjendet ndërtesa ku strehohet Fakulteti i Drejtësisë. Godina, që ka plasaritje të theksuara, është kthyer në një rrezik, sipas studentëve, të cilët kanë kërkuar ndërhyrje. Ata u shprehën se duhet gjetur një zgjidhje sa më e shpejtë, në mënyrë që të mos rrezikohen jetët e studentëve. Sakaq, rektorati i Universitetit të Tiranës ka paditur firmën ndërtuese, por ende nuk i është dhënë asnjë përgjigje zyrtare. Sipas të pranishmëve në grevë, aktualisht është vështirë të kryhet mësim në krah të plasaritjeve që ka pësuar godina. Ndërkohë që Ministria e Arsimit nuk ka lëvruar ende një fond të posaçëm për të rikonstruktuar ndërtesën apo për të ndërtuar një të re.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›