E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gazmend Dibra: Së shpejti, mësim për të dënuarit në burgje



Një marrëveshje mes tre ministrive do bëjë të mundur atë që deri më sot nuk ka ndodhur në burgjet shqiptare, mësimin në burgje. Tashmë ky projekt është gati dhe pas marrjes së “ok”-it të Ministrisë së Financave për mbështetje financiare, muajin tjetër pritet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të firmosë marrëveshjen me Ministrinë e Arsimit. Një fakt i tillë është bërë i ditur zyrtarisht nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili u shpreh se me arritjen e kësaj marrëveshjeje në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, burgjet nuk do shërbejnë vetëm për kryerjen e dënimit, por gjatë kësaj kohe edhe të arsimimit për personat që nuk kanë arsim përkatës apo u është ndërprerë për shkak të kryerjes së një vepre penale. Sipas Dibrës, zyrtarizimi i kësaj marrëveshjeje është tashmë çështje ditësh, pasi përgjigjja pozitive e Ministrisë së Financave që do mbështesë financiarisht pagesën e mësuesve që do japin mësim në burgje, e bën edhe më konkret dhe të realizueshëm këtë projekt. Arritja e një marrëveshjeje të tillë, për ta kthyer kohën e burgimit jo vetëm për të shlyer fajin e kryer, por edhe për të mësuar, punuar dhe në raste të tjera edhe për kryerje aktivitetesh argëtuese, mund të konsiderohet një hap përpara në sistemin e burgjeve. “Duke u sjellë mësuesit për të mësuar apo dhe duke iu mbushur ditën me punë, të dënuarit e paarsimuar dhe ata që kanë një nivel të caktuar arsimimi, nuk do të kenë kohë të mendojnë për atë vepër penale për të cilën janë dënuar apo dhe për të çuar mendjen në kryerjen e veprimeve të këqija”, - u shpreh kreu i Burgjeve, Gazmend Dibra.

Rregullorja e re

Një tjetër angazhim mjaft i rëndësishëm i burgjeve, sipas drejtorit Dibra, ka qenë rritja e numrit të të dënuarve apo të paraburgosurve që duhet të punësohen gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Për të arritur një gjë të tillë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në bashkëpunim me misionin EURALIUS janë duke përgatitur një draft të ri për rregulloren e burgjeve, me qëllim që të përcaktohet qartë punësimi, trajtimi financiar i tyre, madje duke shkuar edhe më larg në synime, përfshirja e të burgosurve në skemën e sigurimeve shoqërore. Sipas Dibrës, përfshirja e të burgosurve në skemën e sigurimeve shoqërore nuk parashikon fatura të larta financiare, ndërkohë për këtë risi në burgje është duke u përgatitur një draft. “Brenda 3-mujorit të parë të vitit 2009 do të ketë diçka konkrete”, - bëri të ditur kreu i Burgjeve, Dibra. Megjithatë, risitë nga muaji në muaj dhe nga viti në vit do të jenë më se të dukshme në sistemin penetinciar. Fillimisht është parë si mjaft e domosdoshme që të përmirësohet legjislacioni, pasi mangësitë në të sjellin edhe problemet brenda sistemit të burgjeve. Disa ndryshime në rregulloret e burgjeve, trajnimi i stafit të burgjeve, miratimi i ligjit të ri për “Policinë e Burgjeve”, i cili mbi të gjithë përcakton qartë edhe mënyrën e rekrutimit të stafit etj., iniciativa që do të sjellin sipas Dibrës, “më pak punë për Gjykatën Evropiane për ankesat që mund të vinin nga të dënuar në burgjet shqiptare, për probleme brenda burgjeve”. Madje, sipas z. Dibra, shkas për mjaft ndryshime ka qenë edhe një vendim i kësaj gjykate për të drejtat e njeriut, marrë për të dënuarin I.D., duke përcaktuar qartë se cilat duhet të ishin masat e marrë për këtë të dënuar nga burgjet. I.D. u sistemua në burgun e Krujës, u trajtua nga mjekët dhe stafi atje, dhe sipas Dibrës, ka pasur përmirësim në gjendjen shëndetësore. Madje, për të arritur një shërbim më të mirë mjekësor për këtë të dënuar, por edhe të tjerë, Ministria e Drejtësisë ka nënshkruar një marrëveshje me Ministrinë e Shëndetësisë.

Nisma

Pas sistemimit në një seksion të veçantë dhe me kushte mjaft të mira për të miturit, tashmë është duke u ndërmarrë një tjerë nismë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, sistemimi në seksione të veçanta të një tjetër kategorie të dënuarish. Sipas drejtorit Dibra, në bashkëpunim edhe me drejtorët e burgjeve, është duke u menduar krijimi i seksioneve të veçanta për një kategori mjaft të vështirë të të dënuarve, atë të moshave nga 18-21 vjeç, e cila ka një numër të konsiderueshëm të dënuarish në burgjet shqiptare. Kjo grupmoshë do të ndahet në seksione të veçanta dhe do të trajtohet me programe të veçanta. Por, për të pasur arritje me këto kategori të dënuarish, por edhe me të tjerët, nevojitet një staf i trajnuar mirë dhe kjo, sipas kreut të burgjeve, është duke u arritur falë edhe ndihmës nga të huajt.

Vendim

Qeveria vendos të shtojë edhe 200 punonjës për burgjet

Në mbledhjen e saj të djeshme, qeveria vendosi të shtojë edhe me 200 punonjës stafin e burgjeve. Gjatë mbledhjes së djeshme, Këshilli i Ministrave vendosi që në vendimin nr. 160, datë 13.2.2008, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, të bëhen disa ndryshime. Ministrisë së Drejtësisë, sipas vendimit të djeshëm, në numrin e përgjithshëm të punonjësve të miratuar për vitin 2008 në sistemin e burgjeve, t’i shtohen 200 veta. Me këto shtesa, numri total i punonjësve buxhetorë për vitin 2008, për periudhën korrik-dhjetor 2008, bëhet 104.531 veta, sipas lidhjes nr. 1, që i bashkëlidhet këtij vendimi. Për të zbatuar këtë vendim, Këshilli i Ministrave ngarkoi Ministrinë e Drejtësisë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›