Rubik, shirat nxjerrin mbetjet e uzinës së bakrit
RUBIK - Banorët e qytetit të Rubikut, sidomos ato të periferisë së qytetit, japin alarmin se pas shirave të rrëmbyeshëm, mbetjet e ish-uzinës së bakrit në këtë qytet kanë dalë në sipërfaqe dhe po krijojnë probleme për jetën dhe shëndetin e banorëve të këtushëm. Kohë më parë nisi zbatimi i një projekti nga Komisioni Evropian për zhvendosjen e mbetjeve nga qendrat e banuara, por jo gjithçka ka shkuar siç ishte menduar. Banorë të Rubikut thanë për "Panorama" se shirat e këtyre ditëve nxorën në sipërfaqe mbetje të 70 viteve më parë, duke ndotur rrezikshëm gjithë zonën. Përpunimi i bakrit në Rubik ka nisur që në vitin 1930, duke ndotur frikshëm ajrin, tokën dhe ujin. Pikërisht aty ku po zbatohet projekti i KE-së, me vlerë 4.4 milionë euro janë rishfaqur mbetjet e rrezikshme për njerëzit dhe kafshët. Teksa specialistët e projektit e kanë konsideruar të përfunduar groposjen e mbetjeve, banorët e Rubikut shprehen se një erë e rëndë ngacmon organet e tyre të frymëmarrjes dhe përbën rrezik për shëndetin e tyre. Sipas pronarëve të disa lokaleve dhe pronarëve të shtëpive private, disa persona kanë shfaqur probleme të shëndetit, ndërsa uji i pijshëm dhe uji i përroit kanë marrë ngjyrë tjetër. Uji i lumit Fan ka devijuar nga rrjedha normale dhe ka hyrë në landfillin e ndërtuar muaj më parë, duke marrë me vete mbetje duhet të ishin të siguruara mirë. Ndërkaq një sasi e madhe mbetjesh të tjera nuk dihet ende ku do të sistemohen për të pakësuar efektet e tyre negative. Pronarët e lokaleve thonë se për shkak të erës së rëndë të krijuar nga këto mbetje, klientët po pakësohen, por vetë banorët e periferisë nuk gjejnë një mundësi tjetër për t'u larguar nga ky vend. Kjo ka ndodhur dhe me lokale të tjera që gjenden aty afër, si dhe pika shërbimi, servisi etj., në pjesën ku për Rubikun mund të konsiderohet zonë industriale. h.p.