E Shtunë, 31 Tetor 2026

Paganica, shqiptarët: Si i shpëtuam tërmetit

Me pasojat e tërmetit tragjik në Akuila janë përballur edhe shumë shtetas shqiptarë, që jetojnë në këtë zonë. Gazetari i "Top Channel", i cili është ndodhur pranë vendit të tragjedisë në fshatin Paganica, në zonën e Abruzos në Itali, ka mundur që të sjellë përmes ekranit dëshmitë dhe eksperiencat e bashkatdhetarëve tanë, si dhe shqiptarëve të Kosovës e atyre të Maqedonisë, të cilët në kërkim të një jete më të mirë janë ngulur në vendbanimet e vendit fqinj.

Ai bisedoi me disa emigrantë shqiptarë, të cilët rrëfyen për "Top Channel" momentet e tmerrit dhe si mundën të shpëtojnë të gjallë pas tërmetit të fuqishëm. Pjesëtarët e familjes Mërtiri nga Kavaja kanë qenë fatlumë, pasi kanë arritur të dalin nga rrënojat.

"Lëkundjet e para i ndjemë në orën 10:00 dhe më pas në orën 1:00 dhe 3:30. Nuk dolëm nga shtëpia, pasi ishim mësuar me lëkundje të tilla, që vazhdonin prej muajsh", ka treguar njëra nga vajzat e familjes Mërtiri. Ajo tha se kishte shpëtuar falë ndërhyrjes së të vëllait. "Isha në krevat, në gjumë, kur ndjeva se çatia më ra sipër. Sikur të mos ishte vëllai, nuk do të isha gjallë sot. Ai u fut në errësirë dhe më nxori jashtë", është shprehur mes lotëve vajza. Për nënën e saj, kjo është një jetë e dytë.

Edhe shqiptarë të tjerë, banorë të Paganica, kanë treguar se kanë vrapuar jashtë pasi ndjenë lëkundjet dhe se shtëpitë e tyre janë dëmtuar dhe aktualisht janë të pabanueshme. Ata nuk raportojnë për viktima të tjera shqiptare, por konfirmuan vdekjen e vogëlushit 4-vjeçar, Elsajed Boshti, që u njoftua mbrëmjen e dy netëve më parë.

Shqiptarët i kanë kaluar këto dy net disa nëpër makinat e tyre dhe të tjerë nëpër tendat e krijuara nga autoritetet italiane, së bashku me të pastrehët e tjerë italianë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›