E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sëmundjet që prekin më shumë shqiptarët

Shqipëria është një vend me popullsi relativisht të re, por pavarësisht kësaj, në vendin tonë, regjistrohen më shumë se 520 mijë pensionistë. Mosha e tretë, të sëmurët kronikë janë ata që trajtohen më shumë me barna dhe trajtime medikamentoze, megjithatë nuk mbeten pas me probleme shëndetësore as moshat e dyta, të rinjtë apo fëmijët. Sipas qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza", sëmundjet apo diagnozat që trajtohen më shumë në këtë qendër të nivelit terciar janë problemet me shikimin. Kataraktet në sy apo siç quhen ndryshe në zhargon "perdja" e syve është operacioni më i shpeshtë në spitalin e Tiranës. "Statistikat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për kataraktin e syrit janë 5-6 mijë pacientë në çdo 1 milion banorë, dhe ne mund të luhatemi te këto shifra", sqaron mjeku okulist, Amarildo Belshi. Sipas tij, problemet me sytë janë kryesisht probleme të moshës së tretë, dobësimi i syve, e cila nuk parandalohet ose mjekohet, vetëm mund t‘i nënshtrohet kirurgjisë. Sipas statistikave të spitalit "Nënë Tereza", gjatë viteve të fundit, operacionet më të shpeshta kanë qenë ato për përmirësimin e shikimit. Tensioni, zemra, diabeti, problemet me tretjen dhe stomakun, frymëmarrja dhe sëmundjet kronike të veshkave janë diagnozat që rimbursohen më shumë në vendin tonë. Sipas Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, kemi shumë pacientë që vuajnë nga problemet kardiovaksulare, tensioni, prostata, diabeti, sëmundjet e sistemit nervor. Statistikat e ISKSH-së jepen në bazë të analizave të të dhënave të grumbulluara në sistemin parësor, poliklinika, ambulanca, qendra shëndetësore të lagjeve në të gjithë vendin. Rreth 50 për qind e shqiptarëve vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare. Ndërsa mesatarisht 87 për qind e tyre vdesin në shtëpi. Statistikat i bën publike Shoqata Shqiptare e Kardiologjisë.

Jo vetëm të moshuarit apo pacientët me sëmundje kronike, të lindur apo të fituar nga aksidente gjatë jetës,probleme me shëndetin sot kanë edhe të rinjtë, adoleshentët në mënyrë të veçantë. Sipas ISHP-së, rreth 16 për qind e nxënësve të shkollave janë mbi peshë dhe një pjesë e tyre kanë shfaqur shenjat e para të obezitetit. Nga ana tjetër, mosha e dytë e kësaj dekade i është ngjitur damka se vuan nga streset dhe problemet me ankthin apo neurozat.

Ndryshimet e përditshme, puna, rritja e nivelit të jetesës dhe si pasojë përballimi i saj me përpjekje të mëdha shton mbingarkesën e trurit. Sipas Shërbimit të Neurologjisë, stresi, mungesat, vështirësitë e jetës së përditshme janë faktorët kryesorë që kanë rritur numrin e të prekurve nga luhatjet e humorit dhe neurozave. Ankthi dhe mungesa e ekuilibrit mendor janë stimuluesit e parë të depresionit. Për fëmijët e vegjël, shërbimi i Pediatrisë njofton se preken më shumë nga virozat e stinës. Por gjatë pesëvjeçarit të fundit janë vërejtur rritje të fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet respiratore.

Statistikat e përgjithshme të Ministrisë së Shëndetësisë rendisin si problem të madh të shqiptarëve edhe higjienën e gojës. Mesatarisht kemi nga 2-4.5 dhëmbë të prishur në gojë. Ushqimi, neglizhenca për t‘u kontrolluar dhe fluorizimi në moshë të hershme janë faktorët kryesorë të higjieno-kulturës orale.

Zemra

Tensioni

Sytë

Diabeti

Prostata

Sëmundjet e sistemit nervor

Veshkat

Tumoret

Problemet e frymëmarrjes



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›