Përplasje me armë në Shkodër, plagosen tre klientë në një lokal
Tre persona janë plagosur rëndë me armë zjarri dhe mjete të forta dje, në orët e para të mëngjesit, në qytetin e Shkodrës. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:30 në një lokal nate, pranë urës së Bunës, në të hyrë të qytetit. Sipas policisë, sherri ka nisur fillimisht në një përleshje fizike mes pronarit të lokalit, shtetasit Muharrem Shkjau, dhe tre klientëve pas një debati për motive banale. Më pas, pronari i lokalit, Muharrem Shkjau, bashkë me babanë e tij, Rustem Shkjau, kanë qëlluar me armë zjarri dhe mjete të forta tre klientët dhe për pasojë ka mbetur i plagosur rëndë nga plumbat Kastriot Mhilli, si dhe janë plagosur rëndë nga goditjet me mjete të forta Tonin Lisi dhe Ndoc Mirashi. Dy nga të plagosurit janë dërguar në gjendje të rëndë në spitalin rajonal të Shkodrës, ndërsa i plagosuri me armë zjarri, Kastriot Mhilli, është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak në Tiranë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Të tre personat e plagosur, shokë me njëri-tjetrin, janë nga fshati Bushat i Shkodrës dhe kishin ardhur për të kaluar natën në një lokal nate me muzikë "live". Policia, e cila ka mbërritur pak minuta më vonë në vendin e ngjarjes, nuk ka gjetur asnjeri brenda lokalit, përveç tre klientëve të shtrirë në tokë me plagë të rënda në trup. Sipas policisë, janë shoqëruar disa persona në komisariat, që mendohet se kanë dijeni për ngjarjen. Ndërkaq, policia ka shpallur në kërkim pronarin e lokalit, Muharrem Shkjau, 45 vjeç dhe babanë e tij, Rustem Shkjau. Disa tentativa të policisë pak orë pas ngjarjes për arrestimin e autorëve kanë përfunduar pa rezultat. Grupi hetimor sqaron se është bërë dokumentimi i plotë ligjor i ngjarjes dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit për veprime të mëtejshme për veprat penale të "vrasjes me dashje e mbetur në tentativë, "plagosjes me dashje" dhe "mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake", në ngarkim të shtetasve Muharrem dhe Rustem Shkjau. Ngjarja e ndodhur duket sikur ishte e paralajmëruar për vetë faktin dhe realitetin se klubet e natës në Shkodër tashmë po identifikohen si burim sherresh serioze dhe janë shumë larg të qenit lokale familjare, ku me të vërtetë mund të shijosh muzikë "live". Të tilla lokale, që po shtohen dita- ditës në Shkodër, po bëhen gjithnjë e më shumë pjesë e teksteve të komunikatave të policisë dhe kronikave të zeza, herë me sherre të lehta, e herë me konflikte që përfundojnë me shkëmbime zjarri.