Durrës, kërcënohen me pistoleta tre të rinj
Sherr në një lokal, krisma armësh e panik në Fermë Sukth të Durrësit. Një sherr mes të rinjsh është mbyllur me krisma armësh dhe paralajmërim me vdekje për tre 19-vjeçarë. Ngjarja ka ndodhur në Fermë Sukth përballë lokal "Tropikal", pas një grindjeje për motive të dobëta. Adriatik Tota, Edison Farruku dhe Laurent Osmani, të tre 19-vjeçarë, me banim në Fermë Sukth, janë kanosur me armë dhe goditur me qytën e pistoletës në kokë. Para se të largohen nga vendi i ngjarjes, dy autorët kanë qëlluar në ajër si një paralajmërim për jetën e tre të rinjve, dy prej të cilëve me origjinë nga Dibra dhe i treti nga Tepelena. Shërbimet e Komisariatit të Policisë së Shijakut kanë bërë menjëherë identifikimin e autorëve, si dhe kanë gjetur e bllokuar në cilësinë e provës materiale armën tip pistoletë TT, të cilën autorët e kanë përdorur për kanosje. Po punohet për kapjen e të dy autorëve të kësaj ngjarjeje, për të cilët ka filluar procedimi penal për veprat penale të "kanosjes", "armëmbajtjes pa leje" dhe "prishjes së rendit dhe qetësisë publike". Ngjarja ka kthyer frikën në këtë zonë të Durrësit për shkak të shkrehjes së armëve, ndërkohë që policia bën të ditur se situata është normalizuar menjëherë dhe po punohet për kapjen e vënien para drejtësisë të autorëve.