E Hënë, 2 Nëntor 2026

Miratohet Kodi dhe Ligji për Prokurorinë

Tiranë-Deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë miratuar sot me shumicë votash, të mazhorancës dhe opozitës dy ligje të rëndësishme. Me 116 vota pro, u miratua Dekreti i Presidentit për “Kodin e ri Zgjedhor”. Një minutë më pas u hap votimi dhe 114 deputetë votuan pro ligjin për “Prokurorinë e Përgjithshme”. Këto dy ligje u kundërshtuan nga deputetët e LSI dhe PDK, por votat e tyre ishin të papërfillshme krahasuar me konsensusin që patën këto dy ligje nga PD dhe PS. Të pranishëm në sallën e Parlamentit ishin 121 deputetë dhe votimi u bë me elektronikë.

Për Kodin Zgjedhor, kundër folën deputetët e LSI dhe PDK. Kreu i grupit të LSI, Pëllumb Xhufi me tone të ashpra e konsideroi paktin mes dy partive si një arritje për të miratuar ligje “hileqare”. Duke e cilësuar të çuditshëm dhe të rrallë, LSI theksoi se në këtë mes nuk ka fituar opozita, por Berisha.

Pas diskutimit të shkurtër që bënë partitë si LSI e PDK për Dekretin i Presidentit Bamir Topi për Kodin e ri Zgjedhor, nisi diskutimi dhe për ligjin “Për Prokurorinë e Përgjithshme”. Për këtë pr/ligj foli në emër të grupit të PS-së, Erjon Braçe. “Vleresimet e marra e bëjnë këtë ligj të pranueshëm edhe për grupet e interesit dhe për shoqatat e prokuroreve”, tha Braçe, ndërsa shtoi se “me këto ndryshime nuk ka përfituar asnjë parti politike, e per më tepër nuk ka përfituar Partia Socialiste, e cila nuk ka dashur kurrë të ketë prokurorinë si pjesë të saj”. Ndërsa ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, deklaroi se me punën e bërë për pr/ligjin për Prokurorinë është synuar të bëhet një ligj me standarte.

Këto dy ligje ishin të fundit që miratoi Kuvendi i Shqipërisë në mbyllje të seancës parlamentare të sezonit të vjeshtës, por edhe të fundit për vitin 2008. Ato gjetën konsensusin e gjerë të dy partive të mëdha.

Kodi Zgjedhor

Dekreti i kreut të shtetit për Kodin e ri Elektoral u rregullua me dispozitë kalimtare nga komisioni i posaçëm i Reformës zgjedhore në Kuvend. Sipas kësaj dispozite, Presidenti Bamir Topi duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve 7 ditë pas miratimit të Kodit. Në këtë ligj është përcaktuar se kjo datë duhet të jetë 21 ose 28 qershori i vitit 2009. Kodi i ri Zgjedhor përcakton rregullat për përgatitjen, zhvillimin, administrimin, mbikëqyrjen, si dhe shpalljen e rezultatit të zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë dhe për organet e qeverisjes vendore.

Ligji për Prokurorinë

Projektligji për Prokurorinë u miratua ditën e premte nga komisioni parlamentar i Ligjeve në një mbledhje e cila zgjati më shumë se tre orë. Ky ligj u kundërshtua nga Kryeprokurorja Ina Rama. Gjithsesi, demokratët e socialistët kanë shprehur qëndrimin e tyre pro këtij projekti, ç’ka u reflektua sot me votë në Parlament.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›