E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohen për vrasje babë e bir

 DURRES - Policia e Durrësit arreston Hysni Bushin dhe djalin e tij Astrit Bushi, si të dyshuarit e vrasjes së Preng Lazrit dhe plagosjes së vëllait të tij më të madh Gj.Lazri. Ndërkohë hetuesit kanë lënë të lirë dy të shoqëruarit e tjerë të familjes Bushi, pasi sipas të dhënave ata nuk kanë dorë në krim. Brenda një kohe rekord, policia ka ndërtuar mekanizmin e ngjarjes së rëndë që tronditi pasdite banorët e fshatit “Rinia”. Gjakderdhja nisi sipas policisë për shkaqe banale, të cilat të përziera edhe me konfliktin për pronën morën jetë njerëzish. Tragjedia u konsumua në harkun e pak minutave dhe shkas për të u bë kullotja e bagëtisë së viktimës në parcelën e familjes tjetër. Sipas hetuesve, dy vëllezërit Lazri dhe djemtë e Hysni Bushit ishin futur pas fjalëve të ashpra në një konflikt fizik me shkelma dhe grushte. Përballë kësaj situate, teksa ka parë të rriheshin djemtë e tij me fqinjët, Hysni Bushi, 65 vjeç, merr pistoletën dhe qëllon në drejtim të dy vëllezërve Lazri. Duke analizuar dëshmitë e marra, mekanizmin e ngjarjes dhe provat shkencore të deritanishme hetuesit janë të mendimit se kryefamiljari Hysni Bushi ka shkrehur pistoletën në drejtim të fqinjëve. Në qeli ka mbetur edhe djali i tij, 27-vjeçar Astrit Bushi, i konsideruar nga hetuesit si bashkëpunëtor në krim.                      o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›