E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarr në kishën e qytetit

 BERAT - Një zjarr i rënë nga një hark elektrik ka rrezikuar seriozisht një nga kishat më gjigante në shkallë vendi. Burime nga drejtuesit e kishës bëjnë të ditur se ata kanë qenë duke punuar në një nga ambientet e kësaj kishe gjigante, kur kanë dëgjuar një shpërthim në dhomën ku përgatiteshin qirinjtë. Menjëherë ata kanë shkuar atje, ku kanë parë një flakë dhe tym të zi, i cili ishte krijuar nga kontakti që kishte pasur flaka me parafinën që përdoret për të përgatitur qirinjtë. Me urgjencë drejtuesit e kishës kishin njoftuar zjarrfikësit, të cilët kanë shkuar në vendin ku kishte rënë zjarri. Zjarrfikësit me shpejtësi kanë ndërhyrë duke shuar flakët, duke e izoluar vatrën e tij për të mos rrezikuar ambientet e tjera të kishës. Ndërsa janë shuar flakët, menjëherë grupi hetimor ka kryer veprimet e para procedurale, për të zbardhur pasojat e rënies të këtij zjarri. Nga hetimet e kryera, grupi i ngritur për zbardhjen e shkaqeve hetimor doli në konkluzionin se zjarri kishte rënë si pasojë e një harku elektrik në kontaktorin që ndodhej në këtë dhomë. Sipas drejtuesve të Kishës Ortodokse, bëhet e ditur se në këtë kishë të gjitha ambientet janë të pajisura me aparatura bashkëkohore. Besimtarët janë shprehur se Kishën e ruajti Zoti, pasi është vend i bekuar nga zoti. Në vendngjarje ka shkuar dhe prefekti Kostandin Lefto, si dhe drejtuesit e bashkisë, të cilët kanë parë ngjarjen nga afër. Punonjësit e Kishës po punojnë për të kthyer në gjendjen e mëparshme ambientet që u përfshinë nga zjarri. Kisha u ndërtua madhështore rreth 7 vjet më parë për besimtarët ortodoksë.                           d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›