E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, arrestohet "Mashtruesi i Pleqve"

Bie në pranga i njohuri në Tiranë me nofkën "Mashtruesi i Pleqve". Prezantohej si ndërtues pallatesh në Durrës dhe u vidhte vlerat monetare që kishin në shtëpi qytetarëve të ndryshëm. Një supermashtrues nga Tirana, i dënuar më parë për vjedhje me anë të mashtrimit, ka rënë në prangat e policisë natën e kaluar, menjëherë pas denoncimeve të bëra nga disa qytetarë. Arrestimi i Ferit Saliut, 49 vjeç, lindur në Lezhë dhe banues në Rrugën e Dibrës në kryeqytet, u bë pas denoncimeve të marra për vjedhjen e shumave të konsiderueshme në disa banesa qytetarësh në Durrës. I divorcuar dhe baba i tre fëmijëve, Saliu nuk e ka harruar zanatin e vjetër, por ka vazhduar të vjedhë duke ndërruar vetëm territorin e aktivitetit të tij. Ditën e djeshme, 77-vjeçari Hasan S., banor i Lagjes Nr.5 në Durrës, ka bërë kallëzim penal ndaj tij, pasi të dielën paradite në shtëpinë e tij Saliu, duke iu prezantuar si ndërtues pallatesh, i ka bërë ofertë për shitjen e banesës dhe më pas është larguar. Atëherë pronari i shtëpisë ka konstatuar se i mungonte një sasi prej 4 milionë lekësh. Nga fiksimi i gjurmëve të lëna në banesë u bë identifikimi i tij dhe zbardhja e mashtrimeve të tjera. Më 8 shkurt ky person ka hyrë në banesën e një të moshuare, Vasilika D., dhe duke pyetur se ku banonte një i afërm i tij, ka qëndruar pak minuta, sa për t‘i vjedhur 1,2 milionë lekë dhe 800 euro. Po atë ditë e dëmtuara ka bërë kallëzim penal. Në korrik të vitit të kaluar, duke u hequr sërish si ndërtues pallatesh, Ferit Saliu ka vjedhur në banesën e Ilir K., në plazh, 4 milionë lekë. Vjedhjet janë konstatuar pas largimit të tij dhe janë denoncuar në polici. Burimet policore thanë se Ferit Saliu njihet si "Mashtrues i Pleqve" në Tiranë, ku ka kryer shumë vjedhje dhe është arrestuar në vitin 2003. Pas përfundimit të dënimit ai e ushtroi aktivitetin e tij kriminal në Durrës, deri në momentin e arrestimit të tij. Ai u kap nga shërbimet e policisë në momentin që po dilte nga vila e tij 3-katëshe te Rruga e Dibrës në Tiranë dhe ndërkohë po punohet për dokumentimin e të tjera vjedhjeve që kanë ndodhur gjatë vitit të kaluar në zonën e plazhit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›