Rikthehen aksionet për makinat e vjedhura jashtë
Operacioni "Credit Car" sekuestron tri automjete luksoze, ndërsa dërgon për ndjekje penale në gjendje të lirë katër zotërues të tyre. Njëri ka mundur t‘i shpëtojë policisë, duke u larguar me shpejtësi bashkë me automjetin, por ka lënë pas lejen e qarkullimit. Postblloqe policore janë ngritur në pika të ndryshme të qytetit, në hyrje-daljet e tij, përgjatë superstradës Durrës-Tiranë dhe akseve rrugore të rrethit të Krujës. Të vjedhura në vende të ndryshme të Evropës Perëndimore, automjete të shumta, kryesisht prodhim i viteve të fundit, hyjnë në Shqipëri dhe përdoren lirisht pas tregtimit e ritregtimit të tyre. Identifikimi dhe goditja e individëve të cilët realizojnë trafikimin e mjeteve të vjedhura është qëllimi i plan-operacionit të hartuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe që e ka nisur zbatimin nga Durrësi. Burimet policore bënë të ditur se trafikimi i automjeteve bëhet në formën e mashtrimit, me makina të blera me kredi, të marra me qira, apo dhe në formën e mashtrimit me siguracionin. Gjatë ditës së djeshme janë bllokuar katër automjete, që rezultojnë të vjedhura në Angli, Bullgari dhe në Gjermani dhe janë vënë nën akuzë katër persona .