E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjykata: 101 vjet burg 15 trafikantëve

 

TIRANE – Gjykata për Krimet e Rënda dënoi dje me një total prej një shekulli burg, 15 persona të akuzuar për “trafik të lëndëve narkotike”. Të akuzuarit, mes të cilëve edhe një shtetas italian, që u arrestuan tre vjet më parë nga operacioni policor “Karaburun 2006”, u deklaruan fajtorë për disa episode të trafikut të drogës në drejtin të Italisë dhe u dënuan me një total prej 101 vjetësh e 2 muaj heqje lirie. Sipas vendimit të djeshëm, Alket Muça, Arben Maskaj, Bernard Aliu, Blerim Shehaj, Kujtim Drazhi, Laurent Pashaj, Roland Kapxhiu, Spartak Myslymi, Mikele Gurinjo, Frederik Aliu dhe Genci Arapi, do të vuajnë nga 6 vjet e 8 muaj burg. Po sipas vendimit, Edmond Beqiri do të vuajë 8 vjet e 8 muaj heqje lirie, Mustafa Zaho e Selam Binaj nga 7 vjet e 4 muaj heqje lirie dhe Hysen Mehmeti, 4 vjet e 8 muaj. Në vendimin përfundimtar, gjykata mori parasysh uljen e një të tretës së dënimit, ulje të cilën të gjithë të pandehurit e përfituan për shkak të gjykimit me kohë të shkurtuar. Ndërkohë që në seancën e konkluzioneve përfundimtare, Prokuroria për Krimet e Rënda kishte kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin e tyre në një total prej 151 vjetësh burg. Të pandehurit e kësaj dosjeje, përfshirë Arben Beqirin, dosja e të cilit është veçuar më parë, janë arrestuar në vitin verën e vitit 2006, pasi sipas Prokurorisë ata ishin të përfshirë në disa episode të trafikut të drogës. Më 26 korrik 2006, në vendin e quajtur Gjiri i Bristanin në Gadishullin e Karaburunit, policia sekuestroi një sasi prej 580 kilogramë marijuanë. Më 23 gusht 2006, në portin e Durrësit u ndalua Mikele Guarino, ndërsa kishte në çantë 500 gramë heroinë. Më 11 gusht 2006, në një parcelë pranë plazhit të Pishë Poros në Levan të Fierit, policia sekuestroi 100 kilogramë marijuanë. Ndërsa dy sasi të tjera, prej 60 dhe 94 kilogramë kanabis, që sipas prokurorisë ishin pjesë e trafikut të grupit, janë bllokuar në muajt në vazhdim.         ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›