E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, bllokohet qarkullimi i motorëve të ujit

Pezullimi, deri në një urdhër të dytë. I lihet kohë pushtetit vendor të përcaktojë vendqëndrimet

Qarkullimi në det i të gjithë motorëve të ujit, me dhe pa dokumentacion, do të bllokohet deri në një urdhër të dytë për t’i dhënë kohë bashkive dhe komunave bregdetare që të përcaktojnë vendbazimet e tyre. Përpos moratoriumit që ndalon qarkullimin në det të çdo motoskafi, një urdhër i Drejtorisë së Policisë Kufitare dhe Migracionit ka pezulluar për një periudhë pa afat të përcaktuar lëvizjen në det, por edhe në tokë të të gjithë motorëve të ujit. Kjo ka lënë të pakënaqur mjaft nga ata që zotërojnë këto mjete të argëtimit në ujë, por policia kufitare tregohet e prerë. Vetëm përcaktimi i vendbazimeve nga pushteti vendor do të risjellë normalitet për zotëruesit e tyre, por edhe për ata që pushojnë dhe i frikësohen ndërsa lahen në Adriatik. Motorët kanë nisur të sekuestrohen nga shërbimet e policisë kufitare. Dy ditët e fundit janë bllokuar dy motorë uji dhe dy gomone, ndërsa janë vendosur 10 gjoba për zotëruesit e tyre. Drejtori i Drejtorisë së Policisë së Kufirit dhe Migracionit për rajonin e Durrësit, Naim Manuka, paralajmëron se të gjithë motorët duhet të kenë dokumentacion të plotë. Për policinë kufitare është problem apatia e treguar nga pushteti vendor për të caktuar vendet ku do të lëvizin mjetet dhe stacionohen. Vetëm Bashkia e Durrësit ka përcaktuar zonën e Currilave, ndërsa pritet që dy vendbazime të tjera të jenë në Shën Pjetër dhe Hamallaj. Në bazë të ligjit për mjetet motorike lundruese, çdo kundërvajtje administrative nga përdoruesit e motorëve dënohet me gjobë nga 80.000- 1 milion lekë të reja dhe me konfiskim të mjetit. “çdo motor uji dhe zotërues i tij duhet të ketë leje lundrimi të lëshuar nga Kapitaneria e Përgjithshme e Porteve në Durrës, dokument nga Regjistri Detar Shqiptar për qëllimin e përdorimit të mjetit, dëshmi aftësie për lundrim, deklaratë e vendbazimit të përhershëm të mjetit lundrues dhe të tjera dokumente që duhen për të siguruar këto leje. Asnjë shtetas nën moshën 18 vjeç nuk mund të përdorë motorët e ujit”, thotë Manuka. Ndërkohë do të jenë të kontrolluar, edhe oraret e ankorimi i tyre që ndalohet të bëhet buzë rërës në territore të ndryshme nga ato të përcaktuara nga njësitë e pushtetit vendor.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›