Kryeministri merr nën varësi Inspektoratin e Ndërtimit
Kryeministri Berisha tashmë do të ketë në varësi të drejtpërdrejtë institucionin e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, të drejtuar tashmë nga Gjergj Bojaxhi. Ky ishte vendimi që u mor dje në mbledhjen e radhës së qeverisë, ku nëpërmjet një ndryshimi të bërë në vendimin e vitit 2007, Kryeministrit i jepet e drejta të urdhërojë për organikën dhe strukturën e këtij institucioni. Por nga ana tjetër, propozimi për të bërë ndryshme të emrave dhe strukturave të këtij institucioni i mbetet ministrit të Transporteve dhe Punëve Publike. “Inspektorati Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar e shtrin veprimtarinë në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë. Struktura dhe organika e Inspektoratit Ndërtimor e Urbanistik Kombëtar përcaktohen me urdhër të Kryeministrit, me propozimin e ministrit përgjegjës në fushën e ndërtimit dhe urbanistikës”, theksohet në vendimin e ri të qeverisë. Muajt e fundit ky inspektorat që vepron në të gjithë vendin, ka ndërmarrë një sërë nismash për sa i përket shkatërrimit të shumë objekteve informale në vend. Përqendrimi i punës për prishjen e këtyre objekteve, kryesisht në zonat bregdetare të vendit, jo në pak raste ka sjellë debate të shumta dhe revolta të banorëve të këtyre zonave. Por ndonëse kësaj situate, kryeinspektori Gjergj Bojaxhi ka deklaruar se shkatërrimi i banesave të paligjshme do të vijojë në të gjitha ato zona problematike në vend për sa u përket ndërtimeve. Bojaxhi ka vetëm pak muaj që është në krye të këtij institucioni të rëndësishëm, por edhe konfliktual nga ana tjetër, për shkak të punës që zhvillon për prishjen e ndërtimeve të cilat janë kundër ligjeve në fuqi. Pak ditë më parë, banorët e fshatit Hamallaj të Durrësit i janë drejtuar prokurorisë së rrethit për të depozituar një padi penale ndaj kreut të inspektoratit të ndërtimores, Gjergji Bojaxhi, policisë ndërtimore dhe Policisë së Shtetit për prishjen e shtëpive të tyre në këtë zonë bregdetare. Pas konfrontimit që patën me punonjësit e policisë ndërtimore, banorët e kësaj zone pretendojnë se janë shkelur 15 nene të Kodit Penal, dhe prishja e ndërtimeve nga ana e inspektoratit është e jashtëligjshme. Si pasojë e përleshjeve në Hamallaj, 3 efektivë të policisë përfunduan në spital, po ashtu dhe disa banorë u dëmtuan fizikisht. Aksioni për prishjen e ndërtimeve është pezulluar aktualisht në këtë zonë, por kreu i Inspektoratit të Ndërtimit, Gjergji Bojaxhi, ka deklaruar se nuk ka kthim pas për prishjen e ndërtimeve. Pak ditë më pas, Bojaxhi deklaroi për median se jo vetëm do të prishën ndërtimet e Hamallajt, por edhe 400 objekte pa leje që shtrihen përgjatë zonës bregdetare të Durrësit.
#