Durrës, dallgëthyesi në Porto Romano gati në fillim të qershorit
Është shtyrë për në qershor përurimi i portit të madh të karburanteve në brigjet veriore të Durrësit. Qeveria ka vendosur të afrojë edhe katër muaj kohë për firmat VIP të importit të karburantit, të cilët do të duhet të largojnë përfundimisht depozitat e tankerat nga porti i Durrësit. Shtyrja e afatit, sipas informacioneve zyrtare, është bërë ngase ende nuk ka përfunduar së zbatuari projekti i dallgëthyesit në Porto Romano, objekt shumë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për anijet cisternë.
Kapaciteti i portit është rreth 24 000 m³ dhe në këtë port janë ndërtuar 2 rezervuar nga 5000 m3 për Eurodiesel, një rezervuar 2000 m3 për kerosenë dhe dy rezervuar nga 1000 m3 për benzinë. Terminali është ndërtuar në një sipërfaqe rreth 29 100 m², ndërkohë që është parashikuar që depozitat e vendosura në Porto Romano të përballojnë një kapacitet mbajtës deri në 400 mijë ton. Tashmë që zona në fjalë do të ketë edhe 800 ha për parqet e mëdha industriale, i është kushtuar kujdes projektit të dallgëthyesit me qëllim që objekti të afrojë shumë funksione. Hartuesit e projektit kanë qenë specialistë holandezë. Ata kanë menduar që investimi të shërbejë jo vetëm për të thyer dallgët por edhe për ankorimin e anijeve, vendosjen e mjeteve të rënda, strehimin e automjeteve që transportojnë karburant, pika servisi, lokale e dyqane në shërbim edhe të funksionit të këtij porti. Konkretisht do të hidhët material në një gjerësi 100 m dhe gjatësi 1.5 km që do të shërbejë edhe si shtrati i lartësimit të dallgëthyesit. Specialistët kanë bërë të ditur se porti i karburanteve në Porto Romano ka zënë një sipërfaqe rreth 10 ha dhe se gjerësia e tij së bashku me prapavijën është 100 m aq sa është menduar të jenë edhe dy skajet e dallgëthyesit. Lartësia e këtij objekti do të jetë deri në 16 metër, pikë që është menduar si kuota më e lartë e domosdoshme për këtë port. Deri më tani dallgëthyesi ka përfunduar në masën 70 për qind të projektit dhe se për të zbatuar këtë objekt të rëndësishëm është afruar një investim në shumën 40 milion euro. Specialistët e huaj kanë menduar të plotësojnë kriteret dhe standarde ndërkombëtare duke përfshirë sistemin e shkarkimit dhe ngarkimit të karburanteve nga anijet cisternë, sigurinë në port, shmangien e riskut nga shkarkesat atmosferike si dhe siguri të plotë. Depozitat në hyrje të Durrësit pritet të zbrazen nga një brenda dy muajve dhe transferimi i kompanive drejt puntilave në veri të qytetit mendohet të realizohet brenda muajit qershor.