Lushnjë, shpejtësia nxjerr nga rruga automjetin, vdes 1 plagosen 3 persona
Një aksident me pasojë vdekjen ka ndodhur pasditen e djeshme në aksin rrugor Fier- Lushnje dhe pikërisht në vendin e quajtur rotondoja e Kolonjës. Protagonistë të aksidentit kanë qenë disa persona, të cilët udhëtonin me një automjet me targa të Fierit 5516 A. Automjeti i tipit Benz udhëtonte nga qyteti i Fierit në drejtim të Lushnjës, por shpejtësia tej normave të lejuara ka bërë që ai të dalë nga rruga kryesore, duke përfunduar në kanalin anësor. Si pasojë e kësaj përmbysjeje të automjetit ka gjetur vdekjen njëri nga pasagjerët, 57- vjeçari Bexhet Peqini.
Por mësohet se si pasojë e këtij aksidentit kanë mbetur të plagosur edhe tre shtetas të tjerë. Kristaq Bani, 49 vjeç, Isuf Myrto, 50 vjeç dhe Ilir Llupo, 55 vjeç, i cili ishte edhe drejtuesi i mjetit. Menjëherë pas ndodhjes së aksidentit, në vendin e ngjarjes kanë mbërritur uniforma të shumta policore, e ndërsa janë dërguar për në spitalin e Lushnjës edhe tre të plagosurit. Bluzat e bardha kanë pohuar se gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, megjithëse kanë marrë fraktura në pjesë të ndryshme të trupit si pasojë e përplasjeve të forta. Ndërkohë, nga ana e grupit hetimor të ndodhur në vendin e ngjarjes mësohet se shkak për daljen e automjetit nga rruga ka qenë shpejtësia e madhe. Burimet policore pohojnë se pasi është verifikuar vendi i ngjarjes dhe janë zbuluar gjurmët e lëna nga automjeti, ka rezultuar se drejtuesi i automjetit në momentin e aksidentit ishte duke udhëtuar me shpejtësi të madhe, çka ka bërë qe automjeti të dalë nga rruga. Kështu, grupi hetimor ka pohuar se përpara se automjeti të përfundonte në kanal ka bërë tre rrotullime dhe më pas është përmbysur anës rrugës. Si pasojë e saltrove, shtetasi Bexhet Peqini nuk ka mundur të shpëtojë, e ndërsa tre shtetasit e tjerë kanë dalë me plagë të rënda nga automjeti. Trupi i pajetë i viktimës është gjetur vetëm pak metra larg automjetit, gjë që tregon se ai ka dalë nga xhamat e automjetit në çastin e rënies në kanal. Nga drejtuesi i mjetit është pohuar se shpejtësia ka qenë e lartë, pasi në autostradë në ato momente nuk kishte qarkullim, çka favorizoi edhe aksidentin. Ndaj drejtuesit Llupo është ngritur edhe akuza e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e një shtetasi dhe plagosjen e dy të tjerëve. Mësohet se të gjithë shtetasit e përfshirë në këtë aksident janë nga qyteti i Fierit ndërsa trupi i pajetë i 57- vjeçarit Peqini është shoqëruar për në morgun e qytetit të Lushnjës