Korçë, të verbrit protestojnë për statusin
Të organizuar si asnjëherë më parë të verbrit e ardhur nga të katër rrethet e qarkut të Korçës gjatë paradites së djeshme kanë protestuar para prefekturës në këtë qytet. Duke u solidarizuar dhe me anëtarët e kësaj shoqate në rrethe të tjera të vendit, të verbrit në juglindje i kanë kërkuar qeverisë shqiptarë të kthejë vëmendjen e saj tek kjo shtresë në nevojë për ti rritur pagesën për të verbrit, dhënien e fondeve nga qeveria për strehim, përjashtimi i tyre nga taksat dhe tatimet por dhe trajtimin e tyre me punë si një shtresë që jeton në kushte tejet të vështira.
Të verbrit në Korçë kanë kërkuar pagesën e verbërisë në bazë të ligjit 8098 Për statusin e të verbrit. Kjo shtresë e harruar nga shteti duhet të ketë përkrahjen maksimale, ndërsa 5 pikat që ata kërkojnë janë të bazuara në ligj, ka deklaruar Armand Nexha, përfaqësues i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë. Gjatë protestës së mbajtur dje në Korçë, të verbrit me parulla në duar kanë kërkuar zbatimin e ligjeve të shtetit shqiptar. Anëtarët e shoqatës në fjalë kanë kërcënuar se nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 28 qershorit, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre legjitime ku e para nis me kërkesën për zbatim të ligjit 59 pika f të Kushtetutës për shlyerjen e diferencave të papaguara në shumën 58.980 lekë dhe vendosja e një baze reale page prej 10.860 lekë nga 8700 që është aktualisht. Fondet për strehim janë një tjetër pikë e nxehtë ku sipas anëtarëve të kësaj shoqate me një aktivitet shumë të madh në Shqipëri nga viti 2006 nuk është planifikuar asnjë e ardhur për strehim çka do të thotë se të verbrit janë ulur në nivel me qytetarët e tjerë, përveç dramës së madhe sociale që ata përjetojnë çdo ditë me errësirën e tyre. Të verbrit e juglindjes të cilët numërohen plot 850 anëtarë kanë deklaruar se nëse shteti nuk reagon ndaj kërkesave të tyre protestat nuk do të ndalen, ndërsa do të qëndrojnë jashtë pjesëmarrjes në votim në muajin qershor si një mënyrë proteste e para e këtij lloji ndaj heshtjes së gjatë të shtetit shqiptar.