E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, dy gra plagosen me armë zjarri brenda në shtëpi

Dy gra janë plagosur me armë zjarri nga një i afërm i tyre dhe ndodhen në spital, ndërsa uniformat blu kanë mundur të arrestojnë agresorin dhe bashkëpunëtorin e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në fshatin Rubjekë të Maminasit në Rrethin e Durrësit, ku në një situatë krejt banale kanë mbetur të plagosura rëndë 57-vjeçarja Barie Koçi dhe 28-vjeçarja Majlinda Kërtalla, të cilat janë nën trajtim mjekësor. Ndërkaq dje, Ramazan Koçi, 27 vjeç nga Rubjeka dhe Subi Brika, 23 vjeç, dibran me banim në të njëjtin fshat, janë arrestuar nga policia për plagosje të rëndë nga pakujdesia, armëmbajtje pa leje dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Natën e së hënës, Ramazan Koçi, duke qenë nën efektin e pijeve alkoolike, ka qëlluar me një armë zjarri, pushkë 20-she, në drejtim të banesës së djalit të xhaxhait të vet, Gëzim Koçi. Si pasojë, kanë mbetur të plagosura në pjesë të ndryshme të trupit, kryesisht në gjymtyrë, këmbë e krahë, shtetaset B.Koçi dhe M.Kertalla. Kushërinjtë kanë pasur më parë njëfarë përplasjeje për çështje pronësie dhe nën efektin e alkoolit, 27- vjeçari ka qëlluar mbi shtëpinë e kushëririt. Koçi dhe mbështetësi i tij, Subi Brika, që u kap i fshehur në një shtëpi në Tiranë, janë kapur gjatë një operacioni të mirorganizuar nga blutë. Ndërkaq kanë nisur hetimet dhe për dy shtetas të tjerë të familjes Koçi, Hasan dhe Elvis Koçin, përkatësisht, 53 dhe 24 vjeç, të cilët kanë kundërshtuar dhe fyer policët e Shijakut gjatë kohës që ata po bënin shoqërimin e Ramazanit. Autori ka qenë i dënuar dy herë për vjedhje.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›