Zjarr në disa depozita solari në periferi të Fierit
Një zjarr ka rënë pasditen e së martës në disa depozita solari në periferi të qytetit të Fierit. Sipas burimeve nga Reparti i Zjarrfikësve në Fier, zjarri ka rënë rreth orës 18:00 në një kompleks depozitash të lëndëve djegëse. Kompleksi ndodhet në lagjen "Sheq i madh", përgjatë argjinaturës së lumit Seman, pak metra larg nga zona e banuar. Burimet nga reparti i zjarrfikësve bëjnë të ditur se pronarët e një fabrike të prodhimit të tullave, që ndodhet afër kompleksit të depozitave, kanë lajmëruar për zjarrin. Menjëherë drejt vendit të ngjarjes janë nisur dy mjete zjarrfikëse nga Fierit dhe më pas është kërkuar ndihma e mjeteve të tjera nga Lushnja, Patosi dhe nga kompania "Albpetrol". Mësohet se zjarri ka qenë aktiv për më shumë se një orë dhe janë përfshirë nga flakët tri depozita që mbanin solar. Forcat e shpëtimit tregojnë se një prej depozitave ka shpërthyer, por nuk ka pasur të plagosur. Flakët kanë rrezikuar fabrikën e tullave, një pikë shumice të tregtimit të materialeve inerte, si dhe disa ndërtesa të tjera në zonë. Deri në orët e mbrëmjes, mjetet zjarrfikëse dhe forcat e shpëtimit kanë qenë në vendin e përfshirë nga flakët. Ndërkaq, Policia e Fierit ka nisur hetimet dhe paraprakisht ka ngritur dyshimet për një zjarrvënie të qëllimshme.