E Shtunë, 31 Tetor 2026

I arrestuari për trafik droge padit policinë për dhunë

Një nga tre korçarët e arrestuar për trafik droge në Gjirokastër tri ditë më parë ka akuzuar dje policinë për ushtrim dhune. Gerti Miho ka bërë publike nëpërmjet avokatit të tij, Arjan Sotirit, keqtrajtimin dhe dhunën fizike të ushtruar në dëm të tij nga policët brenda ambienteve të Komisariatit të Policisë së Gjirokastrës, disa orë pas arrestimit. Avokati i të pandehurit Miho, pasi ka vënë re shenjat e dukshme në fytyrë të klientit të tij dhe duke marrë kontakte të afërta me të, ka depozituar një padi penale, e cila është prezantuar gjatë seancës së djeshme gjyqësore, duke ia dorëzuar zyrtarisht prokurorit të çështjes Spartak Çoçoli. I pandehuri Gerti Miho pretendon se është dhunuar nga një oficer, emri i të cilit ende nuk është bërë i ditur edhe për shkak të mosnjohjes. I arrestuari Miho ka pohuar gjithashtu se është dërguar edhe në spital për të marrë asistencë mjekësore, ndërsa gjatë seancës ai ka demonstruar shenjat e dhunës së ushtruar në pjesë të fytyrës, në syrin e majtë, i cili ishte i ënjtur dhe i nxirë tërësisht. Avokati i Mihos, Arjan Sotiri, ka kërkuar një konstatim nga një mjek ligjor për dhunën e ushtruar në sy dhe pjesë të tjera të trupit. Nga ana e tij, organi i akuzës së Gjirokastrës ka nisur hetimet për këtë rast, i cili nuk është i vetmi që pretendohet nga të paraburgosurit në dhomat e paraburgimit në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, ka sqaruar dje se Gerti Mihos ka bërë rezistencë në momentin e arrestimit dhe policët kanë qenë të detyruar të përdorin forcën për ta vënë në pranga. Por ai mohon kategorikisht dhunimin e tij pas arrestimit.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›