E Diel, 1 Nëntor 2026

I ftohti i acartë i merr jetën një burri 46 vjeç në Pukë

I ftohti i acartë i merr jetën një 46-vjeçari. Viktima e parë e të ftohtit është një banor i Pukës, i cili është gjetur i pajetë dje paradite në periferi të qytetit, pranë rezervuarit. Policia lokale tha se ai quhet Agim Kuka dhe është 46 vjeç. Sipas dëshmitarëve të intervistuar nga grupi hetimor, mësohet se viktima është gjetur i shtrirë i ngirë, me këmbët në ujë, ndërsa trupin në dëborë të mbledhur si në pozicion gjumi. Kalimtarët e rastit që panë trupin e pajetë të 46-vjeçarit janë munduar t‘i japin ndihmën e parë, duke e dërguar në spitalin e Pukës, që ndodhet pak metra larg vendit të ngjarjes. Por me gjithë përpjekjet e tyre, nuk mund të bëhej asgjë, pasi Agim Kuka kishte vdekur të paktën 3-4 orë përpara se trupi tij të vërehej nga kalimtarët.

Nga hetimet e para, grupi hetimor në vendin e ngjarjes, ka arritur në përfundimin se Agim Kuka nuk ka shenja goditjeje dhe vdekja është natyrale. Por nga dëshmitë e të afërmve të viktimës bëhet e ditur se ai kishte dalë nga shtëpia të hënën dhe ishte nisur për te një kushëriri i tij. Të afërmit thanë se të hënën, Agimi kishte pirë shumë pije alkoolike dhe nuk ishte kthyer në shtëpi. Duke qenë se viktima ishte përdorues i rregullt i alkoolit dhe njihej në qytet si i tillë, mendohet të kenë qenë në gjendje të dehur dhe nga pamundësia për të ecur, atij i ka rrëshqitur këmba, duke rënë me gjysmë trupi në rezervuar. Aty e ka zënë gjumi në dëborë, në temperaturë -10 Celsius dhe kjo i ka shkaktuar vdekjen.

Agim Kuka, i cili banonte në qendër të qytetit të Pukës, ishte i martuar dhe baba i një djali 12 vjeç. Ai ishte i papunë dhe sipas të afërmeve, punonte vetëm me raste si hamall te një furrë buke. Gjendja e rëndë ekonomike duket se e ka shtyrë atë që të bëhet përdorues i rregullt alkoolit, por kjo i kushtoi jetën.

Trupi i pajetë është mbajtur dje paradite në morgun e spitalit të Pukës, ku i është nënshtruar ekspertizës mjekoligjore dhe më pas është dërguar pranë familjes, ku dhe do të kryhet ceremonia mortore.

Grupi hetimor, që ende nuk i ka mbyllur hetimet për vdekjen e 46-vjeçarit, paraprakisht ka krijuar bindjen se shtetasi Agim Kuka ka gjetur vdekjen si pasojë e përdorimit të tepërt të alkoolit dhe qëndrimit për një kohë të gjatë në gjendje gjumi pranë rezervuarit nën temperaturën -10 gradë Celsius, ku një pjesë të trupit e ka pasur në ujë, ndërsa pjesën tjetër në dëborë.

Për disa gërvishtje që i janë gjetur viktimës në fytyrë, grupi hetimor sqaron se ato janë shkaktuar në momentin kur i ka rrëshqitur këmba dhe ka rënë në rezervuar. Sipas mjekëve, përdoruesit e alkoolit janë të rrezikuar nga temperaturat e ulëta, pasi nga pamundësia për të ecur normalisht mund të ulen për të pushuar dhe më pas flenë në rrugë pa e ndier të ftohtin që mund t‘u marrë jetën, siç ndodhi me 46-vjeçarin Kuka.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›