E Diel, 1 Nëntor 2026

Ngrohja me arkat e armatimit i merr jetën punëtores së demontimit

Vetëm pak javë pas fillimit të procesit të demontimit të municioneve në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, një incident i shkaktuar nga shkelja e rregullave të sigurisë në punë i ka marrë jetën një punëtoreje.

Qyteti i Poliçanit është tronditur paraditen e djeshme nga një ngjarje e rëndë e ndodhur në ambientet e Kombinatit Mekanik. Një punëtore ka humbur jetën, ndërsa kolegu i saj ngeli i plagosur, ndërkohë që drejtuesit e kombinatit, por dhe hetimet e para të policisë, bëjnë me dije se ngjarja ka qenë krejtësisht aksidentale. Suzana Kapxhiu mësohet se humbi jetën në orët e para të mëngjesit të djeshëm, pa mundur të marrë ndihmën e parë shëndetësore, ndërkohë që i lënduar lehtë mbeti punëtori tjetër, Adriatik Hysenbelliu.

Ngjarja e rëndë, sipas burimeve nga Kombinati Mekanik i qytetit të Poliçanit, ndodhi rreth orës 08:00 të mëngjesit në ambientet jashtë Repartit C, ku gjashtë punonjës punonin për pastrimin e ambienteve nga mbetjet e procesit të demontimit.

Gjashtë punonjësit e repartit të demontimit mësohet se kishin pastruar ambientet e tyre të punës dhe rreth orës 08:00 të mëngjesit të djeshëm kanë ndezur një zjarr në ambientet e jashtme të repartit. Punonjësit mësohet se kanë shfrytëzuar ambalazhet e djegoreve që çmontonin për të ndezur një zjarr për shkak të temperaturave tepër të ulëta të ditës së djeshme.

Ata janë mbledhur rreth zjarrit për t‘u ngrohur kur ka ndodhur një shpërthim që i ka marrë jetën 45-vjeçares Suzana Kapxhiu dhe ka shkaktuar plagosjen e 45-vjeçarit Adriatik Hysenbelliu.

Sipas ekspertëve, në zjarr është hedhur pa dashje një element i një gote të djegores të kalibrit 57 mm, i cili ka shpërthyer, duke shpërndarë rrotull me forcë disa copëza metali. Një prej këtyre copëzave ka goditur në pjesën anësore të kokës 45-vjeçaren Kapxhiu, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.

Të parët që janë vënë në alarm për ngjarjen kanë qenë punonjësit e repartit, por dhe punonjësit e tjerë që ndodheshin brenda Kombinatit Mekanik. 45-vjeçarja është transportuar urgjentisht në qendrën shëndetësore të këtij qyteti, por pa mundur të marrë ndihmën e parë shëndetësore.

Burime pranë kësaj qendre shëndetësore bëjnë me dije për gazetën se gruaja ka mbërritur pa jetë dhe asgjë nuk mund të bëhej për të. Ndërkohë, i plagosuri ka marrë ndihmën e parë dhe ndodhet jashtë çdo rreziku për jetën. Sipas mjekëve, ai ka pasur një plagë në faqe dhe pasi ka marrë ndihmën e parë, është larguar drejt banesës.

Të njoftuar për ngjarjen, drejt Kombinatit Mekanik kanë mbërritur të parët punonjësit e postës së policisë së Poliçanit dhe më pas një grup ekspertësh të Policisë së Qarkut të Beratit. Në ambientet e jashtme të kombinatit është vendosur një postbllok ushtarak, ku për orë e orë të tëra nuk është lejuar askush përveç drejtuesve të kombinatit që të futen në ambientet e tij të brendshme.

I vetmi që ka komunikuar me median ka qenë kryeinxhinieri i këtij kombinati, Adrian Spaho. Sipas tij, ngjarja konsiderohet aksidentale, e shkaktuar nga një pakujdesi njerëzore. Gjashtë punonjësit, sipas tij, kanë pasur si qëllim ndezjen e zjarrit për t‘u ngrohur dhe në mbetjet që digjeshin ka plasur një djegore, shpërthimi i së cilës i ka marrë jetën gruas dhe ka shkaktuar plagosjen e punonjësit tjetër.

Sipas kryeinxhinierit, edhe pse brenda ambienteve të kombinatit është e ndaluar ndezja e zjarrit, punonjësit, dhe pse të specializuar në fushën e demontimeve, nuk e kanë menduar se në mbetje mund të kishte ngelur djegorja që shkaktoi shpërthimin. Sipas kryeinxhinierit, gabimi njerëzor ka qenë shkaku i tragjedisë. Ai thotë se në këtë kombinat punohet në kushte tepër të vështira, ku temperaturat shkojnë deri në 0 gradë dhe ky duket se është bërë shkak i vendimit të marrë prej tyre për ndezjen e zjarrit që rezultoi fatal për 45-vjeçaren, nënë e dy fëmijëve.

Tragjedia

Para tre muajsh i

vdiq burri në aksident

Tragjedia për familjen Kapxhiu bëhet dhe më e madhe, pasi tre muaj më parë Suzana kishte humbur bashkëshortin në një aksident. Tashmë dy fëmijët e familjes mbeten jetimë. Bashkia e qytetit të Poliçanit mësohet se ka marrë dje vendimin për të ndihmuar financiarisht familjen, për të përballuar këtë tragjedi. Me një vendim të këshillit bashkiak, familjes do t‘i mbulohen të gjitha shpenzimet e varrimit, ndërkohë që po mendohet që fëmijëve t‘u lidhet një pension. Gruaja kishte lidhur jetën me punën e saj në repartin e demontimit. Ajo mësohet se punonte prej vitesh në këtë kombinat.

Braçe

Në qytetin e Poliçanit ka shkuar dje edhe deputeti i këtij qarku, Erjon Braçe. Ky i fundit është shprehur në një prononcim për median se "nuk duhet t‘i kthejmë sytë nga ky qytet vetëm në raste fatkeqësish". Sipas tij, Kombinati Mekanik ka ambiente të mira për demontimin, por ajo që duhet bërë, është ofrimi i kushteve më të mira të sigurisë.

LSI

Të nxirren përgjegjësit

për ngjarjen e ndodhur

Lëvizja Socialiste për Integrim reagoi dje publikisht për ngjarjen e ndodhur në Poliçan. Sekretari për marrëdhëniet me publikun në këtë parti, Luan Rama, vlerësoi se problemi mesa duket nuk është thjesht për shkak të eksplodimit. "Nuk dua të hyj në kompetencat e organit që kryen hetimet, por mendoj se duhet të ketë qenë një pakujdesi në zbatimin e rregullave të sigurimit teknik", u shpreh Rama. Për fat të keq, theksoi ai, ka ndodhur një ngjarje e rëndë, që ka çuar në pasoja fatale. Kjo, vijoi Rama, dëshmon edhe njëherë se kur nuk respektohen rregullat e sigurimit teknik dhe të gjitha kushtet që kërkon një proces i tillë delikat, atëherë pasojat janë të rënda. "Kjo, natyrisht kërkon rritjen e angazhimit të përgjegjësive të drejtuesve të institucioneve të kontrollit në sistemin e Ministrisë së Mbrojtjes për të parandaluar ngjarje me pasoja të tilla", nënvizoi sekretari për marrëdhëniet me publikun në LSI.

Deklarata

Procesi filloi pas asgjësimit të tre depove me lëndë të rrezikshme

Poliçani u shpall i sigurt për

demontimin më 16 dhjetor 2008

Kombinati Mekanik i Poliçanit u bë gati për të nisur procesin e demontimit të municioneve më 16 dhjetor të vitit 2008. Mëngjesin e kësaj dite, në ambientet e kombinatit u bë asgjësimi i 113 kilogramëve të lëndëve iniciale, që sipas specialistëve përbënin rrezik për mbarëvajtjen e demontimit. Pas shumë muajsh përgatitje, eliminimi i sasisë së lëndëve të rrezikshme u krye më 17 dhjetor. Për të ndjekur nga afër procesin e shpërthimit të këtyre lëndëve, shkoi në Poliçan edhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Maksim Malaj, përfaqësues të ambasadës amerikane, si dhe pushtetarë lokalë. Forcat e ushtrisë kishin organizuar punën, duke minuar tri depot e sektorit C, në të cilat që nga koha kur në kombinat prodhoheshin armë dhe municione ndodheshin 113 kg lëndë iniciale si zhivë fulminante dhe përbërës të tjerë. Ministri Oketa dhe shefi i shtabit të përgjithshëm, Malaj, kanë ndjekur shpërthimin nga një kodër e këtij qyteti, pasi janë informuar fillimisht rreth procesit. Sipas specialistëve të ushtrisë, shpërthimi ishte mënyra më e mirë dhe efikase për eliminimin e sasisë së lëndëve të rrezikshme. Shpërthimi i tyre brenda depove në të cilat ndodheshin mësohet se nuk do të ketë aspak pasoja për ambientin në qytetin e Poliçanit, pasi sasia e helmit nuk ishte e madhe dhe ajo ndodhej prej vitesh e depozituar dhe nga vitet ka humbur vetitë e saj. Pas përfundimit të procesit, ministri Oketa është shprehur se tashmë është fillimi i punës në Kombinatin Mekanik të Poliçanit për demontimin industrial të municioneve luftarake, i bashkërenduar edhe me atë të Kombinatit të Mjekësit, duke u nisur edhe nga fakti se tashmë Forcat e Armatosura Shqiptare kanë në dispozicion tetë poligone për asgjësimin në natyrë të municioneve, do të bëjë të mundur që plani i veprimit që ka hartuar Ministria e Mbrojtjes për asgjësimin e këtyre municioneve të vihet në zbatim në të gjitha pikat e tij. Ministri Oketa ka siguruar se brenda Kombinatin Mekanik të Poliçanit nuk ka më asnjë zonë tjetër të rrezikshme ku mund të ketë shpërthime të pavullnetshme.

Njoftimi zyrtar

Ministria e Mbrojtjes:

Nuk ishte aksident në demontim

Më datë 06.01.2009, rreth orës 08:10 të mëngjesit në Kombinatin Mekanik të Poliçanit, në afërsi të Repartit të Poligonit ka ndodhur një aksident shumë i rëndë me pasojë humbjen e jetës së punonjëses së kësaj fabrike, Suzana Kapxhiu, 45 vjeçe. Jashtë ambienteve të Repartit të Poligonit 6, punonjësit e këtij reparti, përpara se të nisnin punën, kanë ndezur një zjarr për t‘u ngrohur përbri murit të poligonit.

Për ndezjen e këtij zjarri ata kanë përdorur mbeturina të ambalazheve të djegoreve dhe si shkak i këtij zjarri një element i një gote të djegores së kalibrit 57 mm ka shpërthyer, duke goditur rëndë punonjësen Kapxhiu në pjesën anësore të kokës.

Ajo është shoqëruar menjëherë drejt spitalit të Poliçanit, por ka gjetur vdekjen gjatë rrugës.

Sipas informacioneve të ardhura nga drejtoria e Kombinatit të Poliçanit në këtë repart, që prej vitit 2004 kryhet çmontimi i djegoreve të shtimjeve të kalibrit 57 mm. Ky proces kryhej nga punonjësit Krenar Hysi (përgjegjës poligoni), Luan Koroni, Suzana Kapxhiu, Burbuqe Sulçe, Adriatik Hysenbelliu dhe Edmond Lulaj. Të gjithë punonjësit prej një muaji ishin duke pastruar gjithë territorin nga mbeturinat e këtij demontimi.

Ndërsa ky proces kryhej prej 4 vitesh, këta punonjës kanë pasur një eksperiencë prej 15 vitesh në këtë lloj pune.

Ministria e Mbrojtjes njofton se ky aksident nuk ka ndodhur si shkak i kryerjes së procesit të demontimit të djegoreve në repartin përkatës, por jashtë tij, si shkak i një pakujdesie të treguar në ambientet e Kombinatit, duke mos respektuar rregullat e sigurimit teknik në punë.

Menjëherë sapo është informuar për këtë ngjarje, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar policinë dhe prokurorinë, të cilat kanë nisur hetimet për të nxjerrë edhe shkakun e këtij aksidenti.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›