Durrës, dy të rinj pa maska vjedhin agjencinë, në mes të ditës

Dy persona të pamaskuar, nën kërcënimin e armëve kanë grabitur një agjenci udhëtimesh që kryente edhe transferim parash Money Gram. Pikërisht ditën me diell, në një zonë tejet publikë siç është stacioni i trenit ku ndodhen shumë agjenci por edhe disa degë bankash, ka ndodhur kjo vjedhje spektakolare. Sipas burimeve të policisë, dy të rinj ende të paidentifikuar nga policia e Durrësit, janë paraqitur rreth orës 08:45 të ditës së djeshme në agjencinë Dyrrah, duke u shtirë si udhëtarë që donin bileta trageti. Por, në një moment të caktuar ata kanë nxjerrë armën dhe kanë kërcënuar punonjësen e agjencisë me iniciale Xh. S, 35- vjeçe. Nën kërcënimin e armës dy të rinjtë, kanë marrë të gjithë paratë që ndodheshin në arkë, ndërsa i kanë bërë të ditur punonjëses që nëse reagonte do ta qëllonin. 35- vjeçarja nuk i ka penguar dot hajdutët pa maska, të merrnin gjithçka që kishte në arkë.
Shuma që është marrë nga dy grabitësit, është e konsiderueshme dhe përbëhej nga 4100 dollarë, 2300 euro si dhe 12 mijë lekë të reja. Më pas ata janë larguar qetësisht nga ambientet e agjencisë pa rënë në sy nga kalimtarët. Pak minuta më vonë,punonjësja e agjencisë ka lajmëruar policinë e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Mendohet se autoret, ishin rreth moshës 22- 27 vjeç dhe kanë hyrë pa u pikasur nga persona të tjerë. Sipas dëshmisë së punonjëses, autorët pasi kanë marrë të gjitha paratë, e kanë përplasur atë në tokë, duke u larguar. Në këtë mënyre ata kanë mundur të largohen pa probleme. Pas marrjes së dëshmisë së 35- vjeçares, policia ka nisur punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, ku ka ngritur postblloqe në akset dytësore dhe parësore të qytetit për arrestimin e autorëve. Për të zbardhur të gjithë ngjarjen, policia ka marrë dëshminë edhe të personave të tjerë apo punonjësve të agjencive pranë vendit të ngjarjes. Gjithashtu mësohet se policia ka sekuestruar kasetat e kamerave të sigurisë së Riffezen Bank, e cila ndodhet fare pranë agjencisë ku ka ndodhur grabitja, në të cilat dyshohet të jenë fiksuar dhe momentet e hyrjes së dy shtetasve në agjenci. Në cilësinë e dëshmitarëve janë duke u pyetur edhe klientë të lokaleve pranë agjencisë si dhe persona të tjerë. Deklarimet e tyre mund të çojnë policinë në identifikimin dhe arrestimin sa më të shpejtë të grabitësve. Kohët e fundit është rritur ndjeshëm numri i vjedhjeve të lokaleve dhe banesave në lagjet e qytetit të Durrësit. Mesatarisht në sallën operative të policisë mbërrijnë 7-8 telefonata në 24 orë për denoncimin e vjedhjeve apo tentativave për vjedhje. Shqetësimi i rritjes së kriminalitetit të vjedhjeve ka tërhequr vëmendjen e policisë, prokurorisë dhe gjykatës.