Durrës e Bulqizë humbin jetën dy të rinj në aksident
Një 16-vjeçar nga Durrësi, i cili kishte pësuar një aksident një javë më parë, ka humbur jetën dje, ndërsa një 11-vjeçare në Bulqizë është aksidentuar për vdekje nga një maune. I mituri nga Rrashbulli i Durrësit ndërroi jetë natën e kaluar në spitalin ushtarak të Tiranës, një javë pasi ishte aksidentuar me motor në një nga rrugët periferike të qytetit bregdetar. Burime zyrtare nga Drejtoria e Policisë së qarkut bënë të ditur se "Rudolf Rama, 16 vjeç, ishte aksidentuar të premten e kaluar teksa lëvizte me bashkëfshatarin e tij F.S., 15 vjeç, në rrugën Unazë-Plepa-Shkozet, 4 km larg qendrës së qytetit bregdetar". Sipas burimeve, ngjarja ka ndodhur në mesnatë dhe drejtuesi i motoçikletës ka humbur kontrollin, duke dalë jashtë rruge e duke u përplasur me një grumbull inertesh. Forcat e policisë kanë arrestuar 15-vjeçarin, që drejtonte automjetin, ndërsa Rama me gjithë kujdesin e mjekëve nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të plagëve të marra gjatë aksidentit.
Dy ngjarje të rënda kanë ndodhur dy ditët e fundit në rrethin e Bulqizës. Një vajzë 11-vjeçare ka humbur jetën pas përplasjes nga një makinë, ndërsa një 17-vjeçar nga Martaneshi gjeti vdekjen pas shpërthimit të një granate luftarake. Vajza nga Ostreni, E.T. është shtypur nga kamioni i drejtuar nga Ardian Halili, teksa ai po parkonte makinën në qendër të komunës Ostren. Policia lokale njoftoi se ka prangosur drejtuesin e makinës për shkelje të Kodit Rrugor me pasojë vdekjen e një personi. Nga hetimet e para rezulton se ngjarja është shkaktuar nga pakujdesia. Një ditë më parë, në fshatin Lenë të Martaneshit, 17-vjeçari Leontjev Kenga humbi jetën tragjikisht pas shpërthimit të një granate. Policia tha se lënda shpërthyese ndodhej mes mbeturinave që i riu po digjte pranë shtëpisë së tij. Policia dhe prokuroria vijojnë hetimet për zbardhjen e dy ngjarjeve të rënda. P. HASA