Maskat zihen me të zotët e shtëpisë dhe u grabisin 300 mijë lekë
Fier Dy të rinj kishin planifikuar që të kryenin një vjedhje në një banesë, por aty janë përballur me të zotin e shtëpisë, i cili duket se ua ka prishur planet që çdo gjë të shkonte siç duhej sipas parashikimit. Por nën tytën e armëve ata kanë mundur të rrëmbejnë sasinë e 300 mijë lekëve, por edhe sende të tjera me vlerë.
Grabitja
Dy persona të armatosur dhe me maska kanë vjedhur nën forcën e armës një shumë të hollash rreth 300 mijë lekë të reja, të holla që ndodheshin në brendësi të një banese, e cila ndodhet në qytetin naftëtar të Patosit. Ngjarja është regjistruar në orët e para të mëngjesit të ditës së enjte, në shtëpinë pronë e shtetasit Jovan Dhima, në lagjen “1 Maji” të këtij qyteti. Personat e paidentifikuar janë futur në shtëpi, duke menduar se atë çast në ambientet e brendshme nuk ka patur njeri. Por janë ndeshur përballë me të zotin e shtëpisë. Ky i fundit është përleshur me agresorët që, në grindje e sipër kanë nxjerrë armën tip pistoletë, duke e detyruar të zotin e shtëpisë t’i bindej forcës së armës. Ata kanë rrëmbyer nga shtëpia një çantë ku ndodheshin shuma e të hollave si dhe sende të tjera me vlerë. Pas largimit të tyre i zoti i shtëpisë ka lajmëruar policinë e rendit. Kjo e fundit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Pas këqyrjes verifikimit dhe mbledhjes së fakteve dhe dëshmive të të dëmtuarve, policia është hedhur në aksion, për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Policia
Menjëherë pasi është bërë denoncimi, strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier dhe shërbime të tjera të Policisë, janë angazhuar maksimalisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje dhe pas një pune intensive e të mirëorganizuar, brenda një kohe të shkurtër, bënë të mundur identifikimin dhe kapjen e njërit prej autorëve të kësaj ngjarjeje, shtetasin me iniciale D.XH., banues në Patos. Sipas burimeve të policisë, mësohet se ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me një person tjetër ka hyrë i maskuar në banesën e Dhimës, në lagjen “1 Maj” të qytetit të Patosit, dhe nëpërmjet ushtrimit të dhunës dhe nën kërcënimin e armës kanë vjedhur një çantë në të cilën ndodhej shuma prej 300 000 lekësh dhe sende te tjera. Gjatë ecurisë së hetimit, në vendngjarje u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë luftarake gjurmëlënëse dhe një maskë.
Nga këto shërbime vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit tjetër të kësaj ngjarjeje, si dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.