Gruaja vret burrin duke i hedhur vaj të nxehtë në vesh
FIER Krimi në familje ka goditur familjen Kasaj, në lagjen “11 Janari” në qytetin e Fierit, pasi gruaja ka vrarë bashkëshortin e saj. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme kur Dallëndyshe Kasaj, 55 vjeçe, ka vrarë, duke përdorur vaj gatimi të nxehtë, bashkëshortin e vet Xhelo Kasaj, 63 vjeç. Ky i fundit ka gjetur menjëherë vdekjen.
Njoftimi
Gjithçka është regjistruar rreth orës 04.30 të mëngjesit të ditës së enjte, në banesën e tyre të përbashkët, banesë e cila ndodhet në katin e dytë të një pallati shumëkatësh rreth 100 metra nga qendra e qytetit Fier, pas godinës së ish-ushtarakëve në Fier.
Ka qenë vetë gruaja e cila rreth orës 07.30 ka lajmëruar sallën operative të policisë, duke u shprehur se ka vrarë burrin e saj ndaj kërkonte uniformat blu të vinin dhe ta merrnin. Policia është paraqitur menjëherë në vendin e ngjarjes. Ajo ka gjetur të pajetë në mes të shtëpisë burrin e moshuar, ndërsa ka shoqëruar për në komisariat të policisë gruan në gjendje të rënduar mendore. Më pas e dyshuara për krimin është dërguar për të marrë ndihmë mjekësore në spitalin civil të qytetit. Burime nga spitali janë shprehur se gruaja ka patur shenja djegie në duar dhe në fytyrë Ajo është mjekuar nga bluzat e bardha për këto djegie, të cilat sipas shërbimit shëndetësor mund të jenë shkaktuar nga vaji i nxehtë.
Viktima
Ndërkohë që nuk ka ende një njoftim të plotë zyrtar prej policisë për shkakun e vdekjes së shtetasit Xhelo Kasaj. Familjarë të tij janë shprehur se në trupin e tij ka pasur shenja të një grindjeje që mund të ketë ndodhur mes dy bashkëshortëve. Ndërsa nuk konfirmuan se ai mund te ketë vdekur nga vaji i nxehtë i hedhur prej bashkëshortes, në trupin apo fytyrën e tij prej bashkëshortes, e cila mbetet e dyshuara kryesore për vdekjen e tij. Por burime nga policia kanë pohuar se vdekja mund të ketë ardhur nga asfiksia prej mbytjes nga ana e bashkëshortes. Kjo sepse në fytin e viktimës janë dalluar shenja duarsh, ndërsa janë gjetur në vendngjarje edhe shenja të vajit të shpërndarë edhe në dysheme.
Të dy bashkëshortët janë prindër të tre fëmijëve, një djali dhe dy vajzave të rritura, të cilët jetojnë larg tyre. Vajzat janë të martuara, ndërsa djali në emigracion. Familja ka zbritur nga fshatrat e Mallakastrës vitet e fundit, ku dhe ka blerë shtëpinë në katin e dytë të pallatit shumëkatësh në lagjen “11 Janari” Fier.
Burime të pakonfirmuara kanë pohuar se familja ka patur probleme ekonomike, borxhe, dhe për shkak të tyre ka patur grindje të herëpashershme mes burrit dhe gruas. Të njëjtat burime u shprehën se viktima vuante nga sëmundja e mëlçisë për shkak të përdorimit të tepërt të pijeve alkoolike, ndërsa gruaja prej kohësh kishte shfaqur shenja të depresionit dhe simptomave të sëmundjes mendore. Trupi i pajetë i viktimës është tërhequr në orët e para të mëngjesit prej familjarëve të tij dhe është dërguar në morgun e qytetit Fier.