Durrës e Korçë, shënohen dy vetëvrasje
Një 30-vjeçar, përdorues i rregullt droge nga qyteti i Durrësit, i ka dhënë fund jetës duke u helmuar me bombolën e gazit, të cilën e kishte lënë qëllimisht hapur, ndërsa në Korçë, një 50-vjeçare është hedhur nga kati i shtatë i pallatit. Kështu, paraditen e djeshme rreth orës 10:30, Elsat Turku banor i lagjes 5 në Durrës, i ka dhënë fund jetës pasi mbeti i asfiksuar në banesën e tij. Kanë qenë vetë familjarët e Turkut, ata që kanë zbuluar ngjarjen e më pas kanë thirrur policinë. Bëhet me dije se viktima kishte kohë që vuante nga depresioni dhe ishte përdorues i rregullt i lëndëve narkotike. Familjarët shprehen se Elsat Turku jetonte vetëm dhe në vitin 2006 kishte tentuar të vetëvritej, por ishte ndaluar në kohë. Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit për t’iu nënshtruar ekspertizës mjeko-ligjore. Menjëherë në vendngjarje është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të vërtetuar shkaqet e vërteta që çuan në vetëvrasjen e 30-vjeçarit. Ndërkohë një 50-vjeçare i ka dhënë fund jetës duke u hedhur nga kati i 7-të i një pallati. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 18 në qytetin e Korçës, ku 50-vjeçarja Tamara Peçi është vetëvrarë duke u hedhur nga kati i shtatë i banesës ku jetonte. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat e policisë dhe sipas hetimeve paraprake dyshohet se 50-vjeçarja vuante nga depresioni dhe ky mund të jetë një nga shkaqet që ka çuar në vetëvrasjen e saj.