E Shtunë, 31 Tetor 2026

I kërkuari në SHBA, në pritje të procedurave të ekstradimit

Hektor Kelmendi ka dalë dje përpara togave të zeza në Kukës, ku ka marrë dhe masën e sigurisë me 40 ditë burg

Kukës Nën masa të rrepta sigurie është shoqëruar në gjykatën e Kukësit, i shumëkërkuari në SHBA, Hektor Kelmendi, i cili u kap dy ditë më parë në doganën e Morinës. Mbi të rëndojnë një sërë akuzash për kryerjen e krimeve shumë të rënda, si organizim të emigracionit ilegal, plagosje me pasojë vdekjen, gjymtim dhe vrasje, si dhe organizim të trafikut të qenieve njerëzore. Dje, gjykata vendosi që ai të qëndrojë 40 ditë në burg, derisa të kryhen procedurat e ekstradimit për në SHBA. Kelmendit i janë bërë të ditura akuzat që vijnë nga drejtësia amerikane, por prokuroria e vendit tonë nuk do të bëjë ndonjë hetim të specializuar për Kelmendin. Kelmendi ka lindur në Pejë dhe më pas familja e tij ishte vendosur në Serbi, por vetë Kelmendi që herët kishte emigruar në SHBA, ku ka edhe familjen e tij dhe tre fëmijët. Ai më së shumti kishte lëvizur me pasaportë serbe nën emrin e rremë, Demë Nikçi. Pas vlerësimit të masës së arrestit, Kelmendi nën masa të rrepta sigurie është përcjellë për në burgun 313 të Tiranës. Sipas një njoftimi për shtyp të lëshuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, mësohet se Kelmendi ishte shpallur në kërkim afro një vit e gjysmë më parë. Gjykata e Rajonit Lindor të New York-ut, më datë 19 maj 2010 ka lëshuar urdhrin e arrestit për 53-vjeçarin, për veprat penale të “nxitjes së të huajve për të hyrë në territorin amerikan me pasojë vdekje” e kryer një herë; “nxitje ndaj një të huaji për të hyrë në territorin amerikan, duke shkaktuar dëmtime të rënda trupore dhe vënien në rrezik të jetës”, e kryer 3 herë; “kontrabandë të huajsh”, e kryer 13 herë; “nxitjen e të huajve për të hyrë në territorin amerikan”, e kryer 10 herë; “konspiracion për të sjellë të huaj në territorin amerikan”, e kryer 1 herë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›