Durrës, ekzekutohet 20-vjeçari i arrestuar më parë për vjedhje
Durrës- Ekzekutohet një 20-vjeçar në Durrës, i skeduar nga policia si autor i disa grabitjeve në këtë qytet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20.45 minuta, ndërkohë që rrethanat dhe autorët e këtij krimi janë ende të panjohura për policinë. Arbër Bardhi, 20 vjeç, banor i lagjes nr. 5 në Durrës është vrarë nga persona ende të paidentifikuar në afërsi të një qendre tregtare, gjatë kohës që po kthehej në shtëpinë e tij. Burime të policisë së Durrësit kanë bërë të ditur se 20-vjeçari është gjetur i vrarë rreth orës 20.45 të mbrëmjes së djeshme, në një bllok pallatesh, prapa qendrës tregtare. Zona në fjalë është pjesë e lagjes nr. 4 të qytetit, ndërkohë që në kufirin e kësaj zone gjendej edhe shtëpia e viktimës. Të njëjtat burime kanë bërë të ditur se 20-vjeçari ka qenë i vetëm dhe vrasja e tij mund të jetë kryer nga më shumë se një person. Ngjarja në fjalë është mësuar menjëherë nga banorët e lagjes, ndërsa pak më vonë në vendngjarje kanë mbërritur efektiva të shumta policie. Grupi hetimor ka rrethuar vendin e ngjarjes për të marrë shenjat dhe provat që mund të çojnë në zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë. Nga ana tjetër, koha kur ka ndodhur ngjarja dhe moti me shi duket se kanë lënë shumë pak gjurmë në vendngjarje të autorëve të vrasjes. Efektivat e policisë kriminale dhe asaj të rendit kanë marrë në pyetje shumë prej banorëve të zonës ku ka ndodhur krimi, me shpresën për të mësuar rreth autorëve të ngjarjes. Policia nuk ka dhënë asnjë gjë më shumë rreth identitetit të viktimës dhe as personave të mundshëm që e kanë kryer këtë vrasje. Ajo që është thënë mbrëmjen e djeshme për viktimën, është fakti se ai nuk ka qenë i skeduar nga policia si element me precedentë penal. Sipas hetimeve të kryera, Bardhi i njohur edhe me pseudonimin ”kosovari” është arrestuar në vitin 2009, si pjesë e një grupi që akuzohej për plaçkitjen e një dyqani celularësh. Por gjatë operacionit për arrestimin e tyre, policia sekuestroi edhe një arsenal armësh, në shtëpinë e njërit prej të akuzuarve. Sipas raportimeve të asaj kohe nga qyteti i Durrësit, gjatë kontrollit në shtëpinë e Arbër Bardhit, në garazhin e pallatit është gjetur një bombë me telekomandë, ngjitur në një celular, e cila është çaktivizuar nga forcat e specializuara. Hetimet për vrasjen e Bardhit janë fokusuar pikërisht tek e kaluara e tij apo te konfliktet e shkaktuara gjatë kohëve të fundit.