E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, gjendet kufoma e prangosur e një mashkulli

Viktima e paidentifikuar me pranga "gjermane" mund të ketë vdekur gjatë Luftës së Dytë Botërore ose regjimit komunist

DURRËS- Ishte duke punuar pranë shtëpisë së tij teksa papritmas has në eshtrat e një personi, duart e të cilit ishin të lidhura me pranga. Skënder Preza, banor i fshatit Katund i Ri në Sukth të Durrësit, ishte duke hapur një pus uji në themelet e shtëpisë së tij ende në ndërtim, kur në thellësinë tre metra nga toka ka gjetur eshtrat e një njeriu që u specifikua me pas si skeleti i një burri. Duke ndërprerë punimet ai ka lajmëruar menjëherë forcat e policisë të cilat, pas verifikimeve të para, hodhën hipotezën se prangat mund t'i përkisnin periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe janë përdorur nga forcat naziste. Nga ana tjetër, dihet që këto lloj prangash kanë qenë përdorur edhe gjatë periudhës së regjimit komunist, çka e bën edhe më të vështirë përcaktimin e kohës së cilës i përkasin prangat që do të ishte një e dhënë shumë e vlefshme për të gjetur kohën kur është vrarë apo edhe identitetin e viktimës.
Vendi ku janë gjetur eshtrat i përket një lagjeje e cila ka filluar të banohet në vitet 60-70. Të dhënat e para tregojnë se ajo zonë nuk ka qenë asnjëherë varrezë, çka dëshmon se personi mund të jetë ekzekutuar dhe varrosur pa emër. Sipas dëshmive të rastit, nga gërmimet ekspertët hetimorë kanë gjetur të padëmtuar kafkën, kockat e kraharorit si dhe një palë pranga gjermane. Eshtrat janë dërguar në laborator për analiza të mëtejshme të cilat do të saktësojnë kohën dhe mënyrën e vdekjes. Nga të dhënat e deritanishme nuk është arritur që të përcaktohet nëse skeleti i përket një njeriu të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo një të persekutuari të ekzekutuar gjatë periudhës së diktaturës. Ka edhe pista të tjera, pasi në këtë zonë që ka qenë totalisht e pyllëzuar vite më parë rivalizonin bandat kriminale, gjithsesi kjo është një nga pistat më të dobëta sipas ekspertëve të kriminalistikës.
Specialistët e vjetër që kanë punuar në polici, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, thanë se ky tip prangash nuk janë ato që janë përdorur nga gjermanet e që u trashëguan me pas nga shteti komunist. Prangat e largojnë kohën e ekzekutimit në vitet e Luftës së Parë Botërore. Madje pati edhe nga ata që thanë se mund të ishin pranga këmbësh dhe jo duarsh duke hedhur hipotezën se personi që u gjet, për faktin se nuk kishte gjurmë plumbash mund të ishte ndonjë i ardhur me anijet e ndryshme në grykëderdhjen e lumit Erzen dhe ku mund të ketë pasur vdekje natyrale ne gjendje robërie. Vetë policia i ka dërguar eshtrat ne laborator, pasi duke qenë e pasigurtë rreth kohës së vdekjes së viktimës, nuk ka dhenë ndonjë pistë kryesore rreth ngjarjes. Cilësimi si pranga tip gjermane nuk është i saktë pasi sipas specialisteve, ato që janë përdorur gjatë kohës së pushtimit nazist janë në formë morse shtrënguese dhe jo të bashkuara me aks në mes siç janë ato që u gjenden tek skeleti.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›