PS: Meta flet për llogari të Berishës
TIRANË - Deklaratë për llogari të Sali Berishës dhe të Fatos Nanos e ka cilësuar Partia Socialiste ftesën e bërë nga Ilir Meta, për nisjen e një stadi të ri të politikës shqiptare dhe pjesëmarrjen e socialistëve në Kuvend. "Ilir Meta nuk çudit më askënd me deklaratat e tij kundër PS-së, sepse tashmë ai flet për llogari të Sali Berishës dhe që të dy, bashkë me Fatos Nanon, duan me çdo kusht ta kthejnë PS-në në një vegël të qeverisë, duke e futur në Parlamentin e votave të grabitura,"- tha zëdhënësja e PS-së, Armela Imeraj, gjatë një komunikimi me mediat, fill pas deklaratës së Metës, i cili e quajti bojkotin e PS-së, kohë të humbur.
Në emër të PS-së, Imeraj përsëriti sërish qëndrimin e kësaj force politike për të mos hyrë në Parlament pa u garantuar transparenca e zgjedhjeve të papranueshme të 28 qershorit. "Ilir Meta, njeriu që mashtroi 83 mijë zgjedhësit që donin largimin e Kryeministrit të Gërdecit, duhet ta kuptojë ashtu si dhe Sali Berisha, që PS-ja nuk hyn në Parlament pa u garantuar transparenca e zgjedhjeve të papranueshme të 28 qershorit", - theksoi ajo. Nxitja e diversioneve të konflikteve artificiale për të dobësuar PS-në nga ana e Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatos Nanos, sipas saj, nuk e ndryshon dot qëndrimin e socialistëve e të gjithë popullit opozitar ndaj një Parlamenti të marrë peng me manipulime e me korrupsion elektoral.