E Diel, 1 Nëntor 2026

Durrës, gjendet në plehra kufoma e një foshnje

Një foshnjë e seksit femër është
gjetur mes plehrave urbane
mëngjesin e Krishtlindjes. Trupi pa
jetë i bebes është gjetur nga banorët
e zonës, që ashtu si çdo ditë tjetër,
edhe mëngjesin e djeshëm kanë
vërshuar në sheshin ku depozitohen
mbeturinat e qytetit për të nisur
punën e përditshme. Kanë qenë
fëmijët ata që janë shtangur nga ajo
që kanë gjetur mes plehrave, trupin
e një bebeje të vogël. Ajo ka qenë e
mbështjellë me pelena shtëpie, jo
nga ato që rëndom përdoren në
maternitet. Të gjithë ata që gërmojnë
te plehrat, në periferinë veriore
të qytetit bregdetar, janë grumbulluar
të shokuar pranë trupit të
bebes. Kanë parë shumë gjëra mes
mbeturinash, të zakonshme e të
pazakonshme, po pamja që u është
shfaqur para syve ka qenë e dhimbshme,
përtej çdo realiteti të pranueshëm.
Nuk ka qenë rasti i parë i
gjetjes në plehra të bebeve të
hedhura nga prindërit e tyre. Nuk
dihet se në ç‘kushte, por ata
shpresojnë që të jetë rasti i fundit.
Ngjarje të tilla e vështirësojnë dhe
më shumë punën e tyre tepër të
rëndomtë, po të ndershme, me të
cilën mbajnë në jetë veten dhe
familjarët e tyre. Pak pasi kanë marrë
veten dhe kanë larguar fëmijët
nga vendi ku u gjet foshnja, dikush
është kujtuar se duhet të njoftojnë
policinë për praninë e kufomës te
vend-depozitimi i mbetjeve urbane
në Porto Romano të Durrësit. Me të
marrë njoftim, drejt vendngjarjes ka
shkuar grupi hetimor që ka nisur
menjëherë hetimet, ndërkohë që
trupi i foshnjës është dërguar në
morgun e spitalit të qytetit. Kufoma
e vogël ka qëndruar në pritje të autopsisë
dhe ekspertizës mjeko-ligjore.
Sot, pas një dite pushimi, pritet
që në Durrës të mbërrijnë ekspertët
mjekoligjorë nga Tirana, për të përcaktuar
shkaqet e vdekjes së bebes.
Sipas burimeve nga grupi hetimor,
dy janë pistat kryesore që shpjegojnë
hedhjen e foshnjës në plehra.
Vdekja e saj në rrethana të panjohura
në shtëpi dhe hedhja e kufomës
për të shmangur funeralin dhe
zinë, si dhe lindja e bebes nga një
nënë në kushte të vështira sociale,
mbase frut i një lidhjeje të
padëshirueshme, që e kanë detyruar
atë ose të tjerë pranë saj të marrë
vendimin e rëndë, duke i marrë
jetën një qenieje njerëzore që në
fillimet e saj. Seksi i bebes është një
tjetër pistë për hetimin. Shpesh në
familjet patriarkale femrat nuk janë
të mirëpritura. Nuk përjashtohet as
që trupi i gjetur të jetë frut i një aborti
të vonuar të ndonjë gruaje. Po
burime nga grupi hetimor bëjnë të
ditur për gazetën se trupi i foshnjës
është i mirëformuar dhe në këtë
gjendje nuk mund të kryhet abort,
pa e dëmtuar rëndë beben dhe
nënën e saj. Hetimet do të nisin nga
materniteti i Durrësit, për të mësuar
mbi lindjet e fundit dhe lokalizuar
pak a shumë banesën e ndonjë rasti
të dëshpëruar ose me probleme
në lindje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›