Kukës, shembet muri mbajtës i autostradës së re
Një pjesë e mureve anësore në autostradën Durrës-Kukës, në Lagjen Drinas, në hyrje të qytetit, janë shembur dje në mëngjes. Për fat të mirë nuk ka pasur viktima dhe dëme, por kjo shembje nuk është e para dhe me sa shihet as e fundit. Kohë më parë, pjesë të këtyre mureve janë bërë e ribërë duke shkuar jo vetëm lekët dëm, por edhe kohën dhe reputacionin e një vepre të tillë, siç është autostrada Durrës-Kukës. Disa ditë më parë, gazeta "Shqip" ka paralajmëruar se në lagjen "Drinas" rrezikohet shembja e tokës që do të marrë përpara edhe një grup banesash, pasi muri i skarpatit është aq pa lidhje, sa nuk mban dot as vetveten. Dhe ja, siç tregohet në foto, dje në mëngjes janë shembur rreth 20 metra gjatësi të murit, duke zënë njërën prej dy korsive të rrugës. Ekspertët tregojnë se ky është vetëm fillimi i një rreziku nga shembja e dheut në raste shirash dhe është pasojë e mungesës së një projekti cilësor. Aty rrezikohen të paktën pesë shtëpi, të cilave shembja u ka lëkundur themelet. Banorët kanë protestuar pranë firmës ndërtuese, por me sa duket duhet një ndërhyrje e specializuar në vetë projektin e zbatimit. Dje ishte në Kukës dhe e pa nga afër murin e shembur edhe ministri i Transporteve, Sokol Olldashi, i cili për rastin në fjalë tha se u takonte inxhinierëve dhe revizorëve të bënin vlerësimin, por "kjo gjë duhet riparuar", tha ai. Gjatë inspektimit të disa segmenteve të autostradës, Olldashi tha gjithashtu se do të nxiste ecurinë e shpronësimeve në aks edhe për ato prona që nuk kanë qenë të përfshira deri tani.