E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodër, 4191 banorë të izoluar në fshatrat e tyre

Në këtë fund viti, festa e Krishtlindjes dhe e Vitit të Ri i ka gjetur të izoluar nga bota rreth 4 mijë banorë të zonave të thella malore të Qarkut të Shkodrës. Reshjet e dëborës që ranë disa ditë më parë dhe temperaturat e ulëta gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar bllokimin e disa fshatrave në Malësinë e Madhe, në Shkodër dhe Pukë. Në një kohë kur në të gjitha qytetet ka fluks lëvizjesh, në zonat e thella malore të Qarkut Shkodër moti i ftohtë dhe reshjet e dëborës kanë bërë që njerëzit të struken në shtëpitë e tyre, duke kaluar festën e Krishtlindjes dhe Vitin e Ri me rezervat ushqimore që kanë mundur të sigurojnë gjatë verës. Të gjitha akset rrugore nacionale që lidhin komunat e thella malore me qytetet e qarkut janë të hapura, përveç Qafës së Thores, që lidh Dukagjinin me Malësinë e Madhe. Por problematike mbeten rrugët rurale, që lidhin fshatrat e thellë me qendrat e komunave. Banorët e zonave të thella, të gjitha blerjet që u duhen i kryejnë në qendrat e komunave, por kjo nuk është e mundur për 4191 banorë të zonave të thella malore të Qarkut Shkodër, pasi rrugët janë të bllokuara nga dëbora. Konkretisht, në Rrethin e Shkodrës janë të izoluar 486 banorë të fshatrave Vukaj dhe Ukbibaj të Komunës Shllak, 515 banorë të fshatrave Palaj dhe Pepsumaj të Komunës Shosh, 702 banorë të fshatrave Pecaj dhe Vuksanaj të Komunës Shalë. Në Rrethin e Malësisë së Madhe, në Komunën Kelmend, është bllokuar fshati Vermosh me 1500 banorë dhe fshati Lëpushë me 512 banorë, të cilët nuk mund të udhëtojnë drejt qendrës së komunës. Në Rrethin e Pukës, në Komunën Iballë, është i bllokuar fshati Mërtur me 476 banorë. Rrugët e këtyre fshatrave janë bërë të pakalueshme nga dëbora dhe nga shtresat e akullit që janë krijuar për shkak të temperaturave të ulëta. Përveç bllokimit të rrugëve në fshatrat e lartpërmendur, problem për këta banorë është edhe mungesa e komunikimit, pasi në këto zona mungon telefonia fikse dhe valët e telefonisë së lëvizshme. Madje, edhe radiot e policisë nuk mund të përdoren në shumicën e fshatrave të thellë. Nga ana tjetër, një mungesë jetike për këto zona është ajo e mjekëve, për të mos folur për mangësitë në arsim. Për të lajmëruar për ndonjë problem, banorëve të këtyre zonave u duhet të ecin të paktën dy orë në këmbë për të dalë në zona ku ka valë telefoni. Një pjesë e mirë e fshatrave që janë përmendur më lart nuk kanë fare rrugë makine dhe banorëve u duhet të dalin në qafa malesh për të kapur makinat.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›