Vizita në Ballkan, Bajden shmang takimin me Jeremiç
Nënpresidenti amerikan, Xho Bajden, gjatë vizitës së tij në Ballkan do të ndalojë edhe në Beograd, ku ka programuar të takohet vetëm me Presidentin e Serbisë, Boris Tadiç dhe me Ministrin e Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, duke shmangur taki-min me shefin e diplomacisë serbe, Vuk Jeremiç. Data e vizitës është ende sekrete. Sipas gazetës së përditshme “Borba”, për Jeremiçin kjo është edhe një goditje tjetër, pas refuzimit të sekretares amerikane, Hilari Klinton për t’u takuar me të ndërsa ai ishte në Uashington dhe pas refuzimit gjatë vizitës së kryeministrit kroat, Ivo Sanader në Beograd. Ai kishte pranuar të vinte për vizitë në kryeqytetin serb, por me kusht të mos e takonte Jeremiçin, të cilin e kishte cilësuar si përgjegjësin kryesor për përkeqësimin e raporteve mes dy vendeve që kur Kroacia kishte njohur pavarësinë e Kosovës. Gazeta ka publikuar edhe një skandal, të Jeremiçit gjatë vizitës në Uashington në fund të muajit prill, kur kishte gënjyer se e kishte takuar këshilltarin e nënpresidentit amerikan Bajden, Anthony Blinken. Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, tha se autoritetet i kanë shtuar masat e sigurisë në nivelin më të lartë, duke u përgatitur për vizitën e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden. Ivica Daçiç tha se tashmë kanë filluar përgatitjet e sigurisë në bashkëpunim me ekipet e sigurisë nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se në Beograd do të mbyllen disa rrugë dhe do të ndalohen disa tubime publike gjatë vizitës së z. Bajden në Serbi. Ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, tha se njëra nga çështjet kryesore gjatë vizitës së nënpresidentit të Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Beograd dhe Sarajevë, do të jetë forcimi i bashkëpunimit dhe zgjidhja e përbashkët e problemeve në rajon. Ai shtoi se vizita e nënpresidentit Bajden është vazhdimësi e politikës së njëjtë të administratës së mëparshme, siç është politika e angazhimit për suksesin e rajonit, bashkëpunimit rajonal dhe të ardhmes evropiane.
Mbështetje për pavarësinë
Eksperti për Ballkanin, Daniel Server, e ka komentuar vizitën e zëvendëspresidentit amerikan, Xho Bajden në Kosovë, si një tregues që “riafirmon mbështetjen për pavarësinë e Kosovës”. Ndërkaq në lidhje me praninë e mëtejshme amerikane në Kosovë, Server mendon se “Shtetet e Bashkuara do të jenë politikisht në Kosovë për një kohë të gjatë dhe përgjigjja e saktë mund të jetë përgjithmonë”, tha Server për REL. Server shtoi se mendon që në aspektin ushtarak forcat amerikane janë të reduktuara në nivelin më të ulët. “Mendoj se ne duhet ta vazhdojmë praninë tonë ushtarake atje derisa Prishtina dhe Beogradi të arrijnë një pajtueshmëri të ndërsjellë”, theksoi Daniel Server, ekspert për Ballkanin nga Instituti Amerikan i Paqes, me seli në Uashington.