E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, harrohet Teatri Veror

Bashkia e Durrësit prej vitesh “ka harruar” të ketë nën kujdesin e saj dy objektet e rëndësishme të jetës kulturore dhe artistike të qytetit, Teatrin Veror, dhe Vilën e Zogut. Sipas specialistëve të fushës së krijimtarisë artistike dhe urbanistëve, janë dy objekte tashmë të lëna krejt pas dore e që nuk dihet se cili do të jetë fati i tyre. Objekti i parë është Vila e Zogut, e cila tre vjet më parë i është kthyer familjes mbretërore nga ana e Komisionit të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, që më vonë mori emrin Agjenci. Ajo edhe sot e kësaj dite ruhet me uniforma ushtarake, edhe pse këtë sezon turistik u vizitua nga afro 4 mijë turistë kryesisht të huaj. Por edhe pse kanë kaluar gati 3 vjet, Vila e Zogut vazhdon të ruajë statusin e saj e ruajtur nga disa ushtarë dhe e rrethuar me tela me gjemba. Ajo shërben vetëm si platformë mbi të cilën janë vendosur antenat e radiove dhe të përforcuesve televizivë si dhe antenat e radiove, por këtë sezon veror edhe për turistë. Edhe nga ana e familjes mbretërore nuk ka pasur asnjë ankimim për këtë objekt. Objekti i dytë në kodër prej vitesh i braktisur dhe i amortizuar është Teatri Veror, dikur krenaria e qytetit, ku janë dhënë mbi 5800 shfaqje nga grupe artistike të vendit dhe të huaja. Ai objekt “i harruar” bën pjesë në inventarin e bashkisë, por edhe pse është premtuar nga të gjithë kryetarët e bashkive se “do të ringrihet si objekt artistik”, ai ka mbetur i rrënuar, dhe më e keqja një sipërfaqe të tij e kanë mbuluar ndërtimet pa leje. Edhe pse kanë kaluar 11 vjet nga marsi i vitit 1997 kur disa familje pushtuan një pjesë të këtij teatri, asgjë nuk është bërë ose për ta kthyer atë në identitet ose për ta transformuar në truall për ndërtime. Aktorët dhe plejada e artistëve durrsakë apelon pranë bashkisë dhe Ministrisë së Kulturës të vënë dorë, të zbatojnë autoritetin e ligjit për të rikthyer në identitet të vetmin objekt të dashur për qytetarët, Teatrin Veror, për t’i rikthyer Durrësit krenarinë e dikurshme të spektakleve madhështore që jepeshin atje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›