E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitali i Durrësit pa ilaçe, protestojnë mjekët

Situata në spitalin e Durrësit mbetet e njëjtë, e krijuar pas mungesës së mjaft medikamenteve kryesore. Edhe pse kanë kaluar tre muaj që nga koha kur duhej zhvilluar tenderi për blerjen e ilaçeve të Spitalit Rajonal të Durrësit, situata ka mbetur e pandryshuar. Magazina e barnave të spitalit dhe farmacia përkatëse janë transformuar në “palestra”, pasi atje prej kohësh janë krejtësisht të boshatisura. Për të përballuar situatën e krijuar, është manovruar me blerje të herëpashershme të sasive të vogla të barnave dhe të mjeteve të tjera të punës duke përdorur fonde nga të emergjencës apo të shpenzimeve operative. Shkak për moszhvillimin e tenderit, sipas burimeve nga spitali, ka qenë konkurrenca për përzgjedhjen e firmës e cila do të furnizojë spitalin me ilaçe. Në spital është krijuar edhe një klimë pasigurie te efektivi pas ndryshimeve në kupolën e Ministrisë së Shëndetësisë. Janë një numër punonjësish të rekrutuar mbi baza kriteresh politike dhe jo në bazë të testimit profesional ata që rrezikojnë vendet e punës në këtë spital. Lidhur me problemet e shumta që janë krijuar nga mungesa e medikamenteve, edhe këto ditë kanë reaguar pacientët dhe të afërmit e tyre, duke u shprehur se “ministrja e re Godo duhet të ndërhyjë sa më parë. Po lemë lekët në farmacitë e qytetit”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›