E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhuveli: Ajri dhe uji në Gërdec janë të pastër

Ajri në Gërdec është i pastër dhe nuk paraqet probleme për banorët, sipas ministrit së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, z. Lufter Xhuveli. Ndërkohë që sipas tij, edhe uji është i konsumueshëm dhe sipas të gjitha analizave është në gjendjen e para shpërthimit të municioneve në Gërdec.

Gjatë një konference për shtyp, të mbajtur në mjediset e ministrisë, z. Xhuveli tha se rezultati bazohet në analizat fillestare që ka bërë ministria, si edhe në punën kërkimore në terren, ndërkohë që në mënyrë periodike analizat janë përsëritur. Ai deklaroi se uji në puse është në situatë të njëjtë me atë që ka pasur dhe para shpërthimit. “Uji në puse në Gërdec dhe para shpërthimit nuk është përdorur si ujë i pijshëm, ndërkohë që zona është furnizuar dhe vazhdon të furnizohet nga tubacionet”, - bëri të ditur ministri Xhuveli.

Situata e ajrit dhe ujit në vend

Ndërkohë, ministri bëri të ditur se edhe situata e ajrit dhe ujit në gjithë vendin paraqet përmirësim dhe është brenda standardeve të Bashkimit Evropian.

“Përmbajtja e pluhurave në ajrin urban, PM10 (grimca nën 10 mikron) dhe LNP (lëndë e ngurtë pezull), në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2007, paraqet përmirësim, ku 2 stacione rezultojnë brenda normave të lejuara të standardit shqiptar. Në stacionet e tjera edhe pse përmbajtja e pluhurave kalon në masë të ndryshme normën e lejuar, vihet re tendenca në ulje e përmbajtjes së tyre”, - tha ministri Xhuveli.

Ndërkohë që për sa i përket ujit, ai deklaroi se “ujërat e lumenjve Drin, Mat, Kir, Erzen, Seman, Shkumbin dhe Vjosë janë të cilësisë mesatare me tendencë të qëndrueshme gjendjeje”.

Decentralizimi i pyjeve

Në konferencë, ministri gjithashtu përmendi atë që ai e quajti “një nga sukseset më të mëdha të kësaj qeverisjeje”, decentralizimin e pyjeve dhe kullotave, të cilat i kaluan nën administrim pushtetit vendor.

“Me realizimin e reformës në pyje, shteti zotëron vetëm 30 për qind, komunat dhe bashkitë 65 për qind dhe privatët 5 për qind të fondit pyjor”, - u shpreh ministri Xhuveli. Sipas ministrit, kjo do të thotë se shteti ka 65 për qind më pak pyje e kullota nën administrim, pasi më parë, e gjithë kjo pjesë i takonte shtetit.

“Vetëm për këtë periudhë u transferuan në 327 njësi të qeverisjes vendore (komuna dhe bashki) rreth 60 për qind e fondit pyjor dhe kullosor ose më shumë se 600 000 ha pyje dhe 150 000 ha kullota”, - tha z. Xhuveli. Sipas tij, transferimi do të çojë në rritjen e të ardhurave për komunitetet vendore, do të sigurojë më shumë pjesëmarrje publike në administrimin e pasurive të vendit dhe do të rrisë nivelin e përgjegjësisë dhe shkallën e mbrojtjes së pyjeve dhe kullotave.

Ndërkohë që theksoi se “gjatë kësaj periudhe është shpallur park kombëtar ekosistemi Shebenik-Jabllanicë, duke e çuar sipërfaqen e zonave të mbrojtura në shkallë vendi në 11.4 për qind të sipërfaqes totale”.

Shkodër

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›