E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, i vidhet automatiku policit të shërbimit

Grupit të gatshëm të policisë së Shijakut i vjedhin automatikun gjatë kohës së shërbimit. Ka qenë ora 22.00 e ditës së dielë kur pjestarët e patrullës së policisë e cila kryente shërbimin e natës kanë konstatuar se arma mungonte. 

SHIJAK- Kishin dalë për të kontrolluar rendin dhe qetësinë në qytet por kanë rënë vetë pre e një vjedhje spektakolare.
Persona ende të pazbuluar nga ana e organeve të rendit i kanë vjedhur automatikun e shërbimit një efektivi të gatshëm, pjestar i patrullës së policisë të Shijakut, e cila lëviz me një furgon gjatë orëve të shërbimit. Ngjarja është regjistruar të dielën në mbrëmje në kohën që grupi i gatshëm kryente patrullime nëpër rrugët e qytetit të vogël, i cili ndodhet 12 km larg Durrësit.
Policia po punon për zbulimin e autorit por ende nuk ka rënë në gjurmët e tij.

Ngjarja

Ka qenë ora 22.00 e ditës së dielë kur pjestarët e patrullës së policisë e cila kryente shërbimin e natës në Shijak kanë konstatuar se njëra prej armëve të shërbimit mungonte. Nuk ka qenë e vështirë për ta që të kuptonin se ajo ishte vjedhur gjatë kohës kur automjeti është lënë vetëm në ndonjërën prej rrugëve të qytetit.
Policia është vënë në kërkim të armës së vjedhur dhe ka nisur shoqërimet e personave të dyshuar të cilët mund të kenë gisht në këtë ngjarje.
Nga hetimet rezulton se arma e zajrrit, një automatik kallashnikov, ishte tërhequr në mbrëmje nga depo e armatimit e komisariatit të policisë së Shijakut nga njëri prej policëve të patrullës së gatshme.
Policët e shërbimit kanë ndërtuar të gjithë dinamikën e aktivitetit të tyre në mënyrë që të fiksonin ndonjë moment kur ata mund të kenë humbur vigjilencën dhe janë bërë pre e vjedhjes së armës e cila më shumë është konsideruar si sfidë ndaj ndonjërit prej tyre sesa nevojë për të siguruar një armë zjarri nga autorët e vjedhjes.
Policia e këtij qyteti gjatë ditës së djesh,e shoqëroi 3 djem të rinj banorë të qytetit të Shijakut por deri në mesditë nuk kishte mundur që të binte në gjurmët e armës së vjedhur.
Dy vjet më parë kreut të SHIRIT në Durrës i vodhën makinën e shërbimit e cila u gjend pas shumë muajsh e coptuar për pjesë këmbimi.Ndërsa një polici të gatshëm i vodhën 2 aparate të telefonisë celulare brenda në furgon në kohën që shoqëronin një person i cili kishte konsumuar një vepër penale.Ishte vetë ky i fundit që i vodhi policit telefonët që i mbante në xhepat e pantallonave.

(o.zh, BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›