Korçë, energjia elektrike mungon 8 orë në ditë
Korçë-Kufizimet e energjisë elektrike prej një muaji janë kthyer në një problem serioz për qarkun e Korçës. Në mënyrë të veçantë situata është vështirësuar në fshatrat e këtij qarku ku mungesa e energjisë arrin deri 8 orë në ditë. Ndonëse burimet zyrtare të OSSH-së në Korçë mohojnë kufizimet duke pohuar se kanë qënë ndërprerje për shkak të remonteve, situata tregon të kundërtën. Në qytetin e Korçës kufizimet nisin nga ora 8.00 për të vijuar deri në orën 17.00 ndërsa ato mungojnë në shtëpitë e banorëve të këtij qyteti për tre orë duke u ndarë në zona sipas fidrave elektrikë. Në fshat ndërprerja nis nga ora 8.00 e mëngjesit për të vazhduar deri në orën 16.00 ndonëse ka raste kur ajo mungon dhe gjatë orëve të mbrëmjes. Stina e ftohtë e dimrit sjell vështirësi të mëdha në furnizimin e popullatës me energji në juglindje. Dimri i ashpër që ka nisur i shoqëruar me temperatura të ulëta dhe rreshje dëbore nuk mund të përballohet pa energji, ndërsa duhet theksuar se arkëtimet për qarkun e Korçës jane në nivelin 98 për qind.
(O.Zh BalkanWeb)