E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zhvillohet tenderi për pastrimin e qytetit, pritet shpallja e firmës fituese

/>Qytetit të Vlorës duket se muajin e ardhshëm do ti rikthehet pastërtia dhe banorët e tij do të mund të jetojnë ashtu siç u ka hije banorëve të një qyteti, si taksapagues të rregullt por edhe me shërbim të rregullt. Më së fundi do të ketë edhe qyteti i Vlorës një firmë që do të marrë në dorë pastrimin e qytetit. Dje është zhvilluar në bashkinë e qytetit, tenderi përkatës për të përcaktuar firmën që do të merret me këtë problem. Kjo bëhet pas kthimit të tenderit të parë nga Komisioni Qendror i Prokurimeve Publike për parregullsi në zhvillimin e tij dhe pas ankesave të njërës prej firmave pjesëmarrëse në këtë tender dhe akuzave publike të saj për favore në për ish- firmën e pastrimit të qytetit. Në tenderin e djeshëm ishin regjistruar katër firma pjesëmarrëse, por njëra prej tyre dha dorëheqjen pa filluar tenderi kështu që në të u futën tre firma dhe konkretisht ajo Korsel sh.p.k, Infinit sh.p.k dhe Duka sh.p.k që është aktualisht firma e pastrimit të qytetit. Dokumentet e tyre tashmë janë në dorën e komisionit të vlerësimit të ofertave të bashkisë dhe brenda 20 ditëve do të shpallet firma fituese. Pastrimi i qytetit aktualisht po paraqet probleme të mëdha dhe firma që ka fituar tenderin vjet dhe që sipas të gjitha ligjeve duhet ta vazhdojë atë derisa të dalë një firmë tjetër fituese e ka lënë atë pas dore dhe qyteti është përmbytur nga plehrat. Ato nuk janë sheshit vetëm në periferi të tij, por edhe në rrugët kryesore deri në mes të bulevardit kryesor Vlorë Skelë shikon kazanë të tejmbushur dhe plehra të pahequra prej kohësh. Një situatë e tillë duket se do të jetë prezente edhe për 20 ditë të tjera, deri në shpalljen e firmës fituese të pastrimit të qytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›