Fullani del pa faj për fyerjen ndaj studentes Rudina Murataj
Drejtoresha e Shkollës së Magjistraturës, Adriana Fullani, ka fituar pafajësinë lidhur me akuzën e fyerjes që kishte ngritur ndaj saj Rudina Murataj, ish-kandidate për të hyrë në shkollën e Magjistraturës. Dje, Gjykata e Tiranës ka dhënë vendimin përfundimtar lidhur me padinë e studentes gjirokastrite, duke nxjerrë pa faj drejtoreshën e shkollës. Në shtator të vitit të kaluar, Murataj që sapo kishte mbaruar me rezultate shumë të mira Fakultetin Juridik kishte konkurruar për të hyrë në shkollën e Magjistraturës. Por për një minimum pikësh nuk kishte arritur të fitonte konkursin. Pas kësaj ajo i ishte drejtuar drejtoreshës Fullani për të marrë një kopje të testit të bërë prej saj, por këtu duket se ka lindur edhe konflikti. Drejtoresha kishte refuzuar t‘ia jepte testin dhe studentja kishte këmbëngulur në kërkesën e saj të cilën e quante më se legjitime. Situata duket se është tensionuar dhe Murataj, e cila shoqërohej nga e ëma ka pretenduar se është fyer nga drejtoresha e shkollës. Dhe për këtë arsye, ajo ka ngritur një padi për shpifje ndaj Fullanit. Fillimisht, në padi figuronte edhe emri i ministrit të Drejtësisë, Alibeaj, i cili kishte qenë pedagog në atë shkollë dhe që sipas Muratajt ishte shkaku kryesor për skualifikimin e saj. Por për shkak të pozicionit të Alibeajt si ministër, gjykata u detyrua të ndante çështjen duke gjykuar vetëm zonjën Fullani, të cilën me vendimin e djeshëm e ka shpallur të pafajshme.