E Diel, 1 Nëntor 2026

Reali pas Kristiano Ronaldos, bën gati 120 milionë euro

Ramon Kalderon, presidenti i Realit të Madridit, vazhdon me idenë e tij për të afruar në skuadër superyje të futbollit botëror. Meqë plani i tij për Kaka ka dështuar, presidenti i madrilenëve ka hedhur sytë nga një tjetër futbollist spektakolar, mesfushorin e Mançester Junajtid, Kristiano Ronaldo. Megjithëse skuadra angleze ka bërë të qartë se nuk heq dorë lehtësisht nga futbollisti, Kalderon ka dërguar në Londër drejtorin sportiv, Predrag Mijatoviç, i cili është takuar me Horge Mendez, menaxherin e lojtarit. Ky ishte takimi i dytë mes palëve në javën e fundit, por, sipas mediave spanjolle, kjo është vetëm faza paraprake e bisedimeve për lojtarin. Por Reali i Madridit duket se e ka seriozisht, aq sa televizioni publik spanjoll "La Sexta", ka bërë të ditur se kryesuesit e kampionatit po mendojnë t‘i ofrojnë "Djajve të kuq" shumën marramendëse të 120 milionë eurove, më e larta në historinë e transferimeve të futbollistëve. Megjithatë, Aleks Ferguson nuk do të dorëzohet lehtë, duke kërkuar më shumë, edhe pse duket e pamundur që të shpenzohet më shumë për një futbollist të vetëm. Situata komplikohet nga fakti se Kristiano Ronaldo ka bërë të qartë se nuk dëshiron të lëvizë nga Anglia, ku po kalon një formë të shkëlqyer dhe këtë sezon ka shansin për të fituar gjithçka me Mançester Junajtid. Kjo është arsyeja pse madrilenët nuk po nguten për të bërë menjëherë një ofertë, por po interesohen nëpërmjet menaxherit Horge Mendez, për të kuptuar se cila është vlera e kartonit të lojtarit dhe çfarë rroge kërkon ai për të bindur Ferguson që ta lërë të lirë. Ideja e drejtuesve të Realit është që të nisin ofensivën e tyre vetëm në fillimin e sezonit 2009-2010. Kalderon dhe Mijatoviç kanë filluar të përllogarisin që tani mënyrën se si të sigurohen fondet për të blerë portugezin dhe duket se lojtari më i vlefshëm që mund të nxirret në shitje është braziliani Robinjo. Sulmuesi 24-vjeçar kushton rreth 30 milionë euro dhe falë shitjes së tij do të përballohej një pjesë e mirë e shpenzimeve për madrilenët, të cilët mund të largojnë edhe lojtarë të tjerë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›