E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mançester Junajtid fiton edhe pa yje

Mançester Junajtid ka fituar edhe ndeshjen e kthimit përballë Romës, duke siguruar pjesëmarrjen në gjysmëfinalen e Ligës së Kampioneve. Skuadra italiane nuk i ka shfrytëzuar mungesat e disa prej yjeve të skuadrës angleze, pasi Ferguson preferoi të linte pushim Kristiano Ronaldon dhe Uejn Runin, duke i ruajtur për ndeshjen e kampionatit. Skuadra italiane provon në minutat e para të gjejë golin me Vuçiniç dhe Mansinin, por Van Der Sar është shumë i vëmendshëm. Nga ana tjetër, Anderson dhe Hargrivs vënë në vështirësi Donin, i cili duhet të shpalosë disa pritje spektakolare për të shpëtuar portën e tij. Italianët kanë shansin më të mirë për të kaluar në avantazh në minutën e 30-të, pasi Mansini fiton një 11-metërsh. Por De Rosi gabon nga pika e bardhë, duke çuar topin mbi traversë. Mesfushori italian ka një tjetër mundësi në minutat e fundit të pjesës së parë, por këtë radhë, gjuajtja e tij me thembër ndalet nga Van Der Sar i kujdesshëm. Edhe në fillimin e pjesës së dytë është Roma që ngulmon më shumë para portës së Mançesterit, por Kaseti humb një rast të pastër për të shënuar golin e avantazhit. Mançesteri vendos të mbyllë hesapet me ekipin italian dhe në minutën e 70-të është Tevez që shënon në portën e Donit, pas një harkimi perfekt të Hargrivs. Italianët dorëzohen dhe Mançester Junajtid vazhdon serinë e rezultateve pozitive në Evropë, duke u cilësuar si pretendentja kryesore për trofeun. Në takimin tjetër, Barcelona ka kaluar pa shumë vështirësi përballë Shalkes, duke fituar me rezultatin 1-0. Rajkard ka paraqitur përsëri në fushë tredhëmbëshin Eto‘o-Henri-Krkiç, por pa shfaqur shumë rrezikshmëri para portës së skuadrës gjermane. Për të zgjidhur situatën ka menduar mesfushori Jaja Ture, i cili në minutën e 43-të ka dërguar topin në rrjetë pas një kombinimi me të riun Krkiç. Tashmë katalanasit do të përballen me Mançester Junajtid në gjysmëfinale, duke kërkuar finalen e dytë në tri sezonet e fundit.

Çerekfinalet

Dje

Man Utd-Roma 1-0

Tevez 70‘

Barcelona-Shalke 1-0

Ture 43‘

Gjysmëfinalet

22/23 prill - 29/30 prill

Barcelona-Man Utd

Liverpul-Çelsi



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›