E Shtunë, 31 Tetor 2026

Olta Xhaçka: PS do të rinisë protestat

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Socialiste deklaroi dje se përgënjeshtronte thëniet e pak orëve më parë të PD përmes Ilir Rusmajlit se nocioni krizë politike në Shqipëri, nuk ishte marrë në konsideratë nga Këshilli i Evropës. Olta Xhaçka, deputete e PS tha se “Rusmajli doli për të na treguar se Këshilli i Evropës spaska folur për krizë kur ka shkruar në rezolutë se Shqipëria është në krizë”, duke kërkuar që “Berisha të mos nxjerrë më gjuhën përmes burrash pa gojë e fytyrë për tu tallur me shqiptarët, po të ulet pa humbur kohë në tryezën e presidentit për të dialoguar e hapur kutitë ku janë dhe rrënjët e krizës që po mbyt shqiptarët”. Në këtë pikë ka ardhur dhe paralajmërimi “kërcënues” nga Xhaçka: “Në të kundërt, vetëm protesta do të kemi deri në largimin e kësaj qeverie që ka grabitur zgjedhjet për të grabitur gjithë Shqipërinë”.
Vetëm pak orë para kësaj deklarate të Olta Xhaçkës, Rusmajli doli në një konferencë për shtyp ku deklaroi se “në debatin në asamble kryetaret e grupeve parlamentare të të gjithë spektrit politik evropian patën të përbashkët një fjali të rëndësishme, fjali kundër bojkotit të parlamentit, e cila ka ardhur në të gjitha deklarimet e diskutantëve që janë shprehur atje, por edhe një gjë më shumë nga asnjë nga diskutantët ose ndryshe nga të gjithë diskutantët u pohua fort fakti që nuk mund të ketë dyshime për faktin se zgjedhjet në Shqipëri ishin të lira dhe të ndershme”. Sipas Rusmajlit, u pohua fort ky fakt se nuk mund Asambleja parlamentare dhe askush tjetër të hedhë me çfarëdo lloj manovre konkluzionet e rëndësishme që ne na kanë ardhur nga vlerësimi që i ka bërë OSBE/OHDIR në raportin e vet përfundimtar për zgjedhjet në Shqipëri”. Për zyrtarin e PD, këto janë mesazhe dhe konfirmime që vinë dhe nga Evropa dhe nuk mund të errësohen nga asnjë lloj manovre keqdashëse që mund të lëvizë brenda vorbullës politikës shqiptare.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›