Rusmajli: Presidenti të mbrojë Kushtetutën
Autori i Lajmit: Redaksia
Kryetari i delegacionit të Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës, Ilir Rusmali deklaroi dje se komisioni hetimor parlamentar për zgjedhjet do të funksionojë mbi vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vendimet e gjykatave të vendit mund të ndryshohen vetëm nga një gjykatë më e lartë. “Pretendimi i zotit Rama bie menjëherë poshtë sapo të konstatoni se kërkesa kryesore e tij lidhet drejtpërdrejt me konkluzionet përfundimtare të Gjykatës e Kolegjit Zgjedhor, psh.me numërimet në Berat apo me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve në Fier. Komisionit hetimor nuk është kurrësesi të prishë vendimet e gjykatave sepse është jashtë funksioneve të veta kushtetuese dhe këtu nuk ka asnjë lloj ekuivoku dhe paqartësie”, u shpreh Rusmali. Ai shprehu besimin se kreut të shtetit Bamir Topi duhet të theksojë publikisht ato mesazhe që theksohen edhe nga rezoluta. “I takon atij të thotë që nuk goditet Kushtetuta nëpërmjet rrugës, i takon atij të thotë që bojkoti në një vend si Shqipëria është i dëmshëm”, insistoi Rusmali.
Ndërkaq, ai theksoi edhe njëherë se në Strazburg nuk kishin kërkuar shmangien e presidenti nga roli i mediatorit mes palëve politike për zgjidhjen e krizës. Ilir Rusmajli tha se amendamenti i tyre për këtë çështje ishte keqkuptuar. “Unë besoj se kjo ka qenë ndoshta në mënyrë të pavullnetshme një lexim i gabuar ndoshta nga përfaqësues të medias sepse kontesti i amendamenteve që ne propozuam në Asamble ka qenë pikërisht që të koncentrohen të gjitha përpjekjet dhe ti jepet e gjithe ndihma e Asamblesë Parlamentarë të Këshillit të Europës, presidentit të republikës me qëllim që ai brenda kuadrit që përcakton rezoluta të mund të eksploronte zgjidhjet”, tha Rusmajli. Duke komentuar rezolutën e Keshillit të Europës Rusmajli tha se aty kërkohet qartë ngritja e një komisioni hetimor për zgjedhjet, por jo hapja e kutive.
Ky lajm është publikuar: 31/01/2010