E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nard Ndoka, PDK: Të krijohet Qeveri teknike

Autori i Lajmit: Redaksia
Partia Demokristiane akuzoi dje kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha për “faktin se vendi ndodhet në krizë politike për shtatë muajsh”. Kryetari i demokristianëve Nard Ndoka është shprehur se PDk mbështet fillimin e dialogut mes maxhorancës dhe opozitës për zgjidhjen e krizës politike që po kalon vendi, ndërsa i mëshoi edhe idesë për një qeveri teknike. E, derisa të ndodhë kjo, krye i demokristianëve, më së paku bën apel për një dialog ndërpartiak.
Sipas Ndokës, vendi është i bllokuar nga kriza prej shtatë muajsh. Ai theksoi se shkaktar i kësaj krize është kryeministri Sali Berisha. Ndoka tha se pa largimin e Berishës, kriza politike nuk mund të zgjidhet ndërsa inkurajoi palët të ulen në tryezën e dialogut me ndërmjetësimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Ndërkaq, kreu i shtetit është shprehur dy ditë më parë, por edhe dje, i gatshëm tu përgjigjet nismave serioze për dialog nga partitë politike. Kreu i PDK, ka qenë ministër Shëndetësie në kabitetin e parë “Berisha 1”, ndërsa pas zgjedhjeve të 28 qershorit kur partia e tij nuk mori asnjë deputet, Ndoka akuzoi Partinë Demokratike për vjedhjen e votave të saj kryesisht në Shkodër. Ndoka njihet si ideator për dialog ndërpartiak, pasi sa herë ka patur kriza politika, ai ka hedhur idenë e tryezave me bazë të gjerë politike. Po ashtu, edhe gjatë kohës kur e djathta ishte në opozitë, Ndoka kërkoi një tryezë të këtij kahu politik, të cilën edhe e arriti para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.

Ky lajm është publikuar: 31/01/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›